Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka pritur në Prishtinë një punëtori rajonale dyditore, në kuadër të Projektit Kundër Krimit Ekonomik (PECK III), bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, me synim forcimin e transparencës dhe integritetit institucional.
Ngjarja mblodhi mbi 80 zyrtarë nga administrata publike e Kosovës dhe vendeve të rajonit, përfaqësues të institucioneve homologe për parandalimin e korrupsionit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Diskutimet u përqendruan në dy fusha kyçe të qeverisjes së mirë: deklarimin dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave të zyrtarëve publikë, si dhe parandalimin e konfliktit të interesit.
Në fjalën e saj hapëse, Mary Ann Hennessey, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, theksoi rëndësinë e harmonizimit të standardeve në nivel rajonal për të ndërtuar institucione demokratike dhe të qëndrueshme, njofton zyra për informim e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Kurse drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, nënvizoi se transparenca në pasurinë e zyrtarëve publikë është çelës për ndërtimin e besimit qytetar:
Dita e dytë e punëtorisë u fokusua në konfliktin e interesit në sektorë të ndjeshëm si arsimi, shëndetësia dhe kultura, ndërsa u theksua edhe nevoja për bashkëpunim të shtuar ndërshtetëror në verifikimin e pasurisë jashtë kufijve.
Me moton “Besimi fillon me transparencën”, kjo ngjarje, thuhet në këtë njoftim, rikonfirmoi përkushtimin institucional për parandalimin e korrupsionit dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal për ndërtimin e administratave publike me integritet të lartë.
















