Shefi i shtabit zgjedhor të LDK-së, Agim Veliu, që njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Podujevës, ka hequr dilemën se kandidatët që duan të marrin drejtimin e partisë të kalojnë në proces të verifikimit të kandidaturës, që nënkupton një votë më shumë se gjysma e delegatëve prezentë në Kuvendin Zgjedhor.
Veliu, në “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se kjo është e precizuar qartë në Statutin e partisë. Ai ka pranuar se kushdo që mendon t’i hyjë garës për të parin e partisë do t’i nënshtrohet paraprakisht votave të delegatëve.
“Sigurisht e kemi një rregullore e cila është në përputhje me Statusin, dhe thotë se të gjithë pretendentët duhet ta kërkojnë mbështetjen e Kuvendit siç kërkohet me Statut, pra me 50 për qind plus 1 votë të delegatëve të Kuvendit. Vetëm atëherë mund të themi janë të vlefshme kandidaturat”, ka thënë Veliu.
Ai ka treguar se delegatët janë të lirë që të votojnë për të verifikuar më shumë se një kandidaturë.
“Askush nuk mund t’ua imponojë e as kufizojë zgjedhjen e secilit delegat. Pra secili mund të votojë për të verifikuar këdo që mendon t’i hyjë garës për kryetar të LDK-së”, ka thënë Veliu.
Sipas Veliut është e qartë edhe një gjë.
“Verifikimi i kandidatëve bëhet me votë të hapur, ndërsa votimi i më shumë se një kandidati për kryetar bëhet me votë të fshehtë”, ka thënë Veliu.