Zyrtare, Kovaçiç te Real Madrid deri në 2021

E publikuar: 18/08/2015 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Reali i Madridit zyrtarizon blerjen e Mateo Kovacic nga Interi. Los Blancos në faqen e tyre zyrtare bënë të ditur se kanë arritur marrëveshjen me zikaltërit për transferimin në Santiago Bernabeu të talentin kroat, me Kovacic që shndërrohet kështu në një prej 2 blerjeve më të rëndësishme dhe më të kushtueshme të klubit merengues në këtë merkato vere pas mbrojtësit brazilian Danilo. Kartoni i 21-vjecarit i ka kushtuar arkave të Realit mbi 30 milionë Euro plus bonuset. Mateo Kovacic do të prezantohet zyrtarisht nga gjigandët spanjollë këtë të Mërkurë në orën 13 në podiumin e nderit të stadiumit Santiago Bernabeu, pasi të këtë kaluar me sukses vizitat mjekësore. Me Los Blancos futbollisti i përfaqësues kroate do të firmosë një kontratë 6-vjecare nga e cila do të përfitojë dicka më shumë se 3 milionë Euro në sezon. Me blerjen e Kovacic, Reali i Madridit blindon mesfushën duke kënaqur kështu dëshirën e trajnerit Rafael Benitez për të patur në skuadër një tjetër lojtar cilësor në repartin e ndërmjetëm. Gjithsesi 21-vjecari nuk do ta ketë aspak të lehtë të fitojë vendin e titullarit në formacionin e Los Blancos pasi i duhet të luftojë me lojtarë të tillë si Modric, Kroos dhe Isco. Mbyllet pas 2 sezonesh e gjysmë aventura e Kovacic te Interi, me zikaltërit që u dorëzuan përballë ofertës së Realit duke humbur kështu një prej lojtarëve më të mirë që kishin në skuadër. Me shitjen e kroatit tashmë klubi nga Milano i ka paratë e nevojshme për të afruar në ekip emra të tillë si Ivan Perisic e Diego Perotti, pa harruar këtu që trajneri Roberto Mancini u ka kërkuar drejtuesve përvec dy sulmuesve anësorë edhe një ose 2 mbrojtës krahu dhe një mesfushor, me Felipe Melon që është i përzgjedhuri i teknikut italian.