Antonio Conte zyrtarisht i Chelseat. Trajneri i Kombëtares së Italisë do të marrë drejtimin e skuadrës londineze në fund të Euro 2016. Lajmin e bën të ditur vetë klubi britanik, duke u dhënë fund zërave për të ardhmen e stolit pas largimit të Guus Hiddink në fund të sezonit. 46-vjeçari ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me “Blutë e Londrës”. Chelsea vazhdon të mbetet i pamundur në Premier League që pas largimit të Jose Mourinhos por pavarësisht këtij fakti, presidenti Roman Abramovich ka vendosur të mos i japë besim holandezit Hiddink, i cili ka një kontratë të përkohshme deri në fund të sezonit.
Me zyrtarizimin në stolin e Chelseat, Conte do të nisë eksperiencën e parë jashtë Italisë ku arriti të triumfonte për 3 sezone rresht me Juventusin. Ai zuri vendin e Cesare Prandellit në stolin e Italisë pas largimit të ish trajnerit të kaltër që dështoi në Botërorin 2014. Gjatë dy viteve në drejtimin e Kombëtares, Conte arriti të siguronte kualifikimin për në Euro 2016 duke regjistruar një ecuri pozitive në grupin eliminator ku nuk regjistroi asnjë humbje. Me emërimin në stolin e Chelseat, Conte konfirmon traditën e trajnerëve italianë te Chelsea ku më parë kanë punuar edhe Vialli, Di Matteo apo Carlo Ancelotti.