Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka hapur një tender me vlerë të parashikuar prej 60 mijë euro, për të marrë me qira vetura për një periudhë 12 mujore. Kërkesat teknike të tenderit tregojnë veturat duhet të jenë komode dhe të fuqishme.
Sipas dosjes së tenderit, veturat duhet të jenë limuzina, prodhim prej 1 janarit 2018 e tutje, me minimum pesë ulëse dhe katër dyer, siç i ka hije çdo veture që bart zyrtarë të lartë. Kryeministria po kërkon që edhe motorri i veturave të jetë me kapacitet minimum 1940 kubik deri 3000.
Fuqia minimale e veturave duhet të jetë 100 KW. Veturat duhet të jenë vetëm automatike, minimalisht me 5 shpejtësi. Lloji i karburantit të veturave mund të jetë benzinë, naftë, hybrid.

Në listën e domosdoshme është edhe standardi Euro 6, që do të thotë se veturat duhet të jenë të pastërta e moderne, në nivelin e shteteve të BE-së. E për t’u bërë krejtësisht me standarde, kërkohet pajisja me A/C, ABS, ESP, timon me servo, radio/USB/Bluetooth, dhe patjetër mbyllje qendrore me dy çelësa.
Në tender është përfshirë edhe paketa e “sigurisë së dimrit”, ndihma e parë, trekëndëshi, zinxhirët e borës, dritat rezervë dhe litari për tërheqje. Sasia totale që kërkohet janë 10 vetura.
Zyra e Kryeministrit po kërkon vetura të standardit europian, të fuqishme, komode, të sigurta dhe moderne për zyrtarët e saj.



















