Zyra e BE-së në Beograd nuk mban ditë zie: Nuk vajtojmë e glorifikojmë kriminelët

E publikuar: 28/09/2023 13:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kosova serbia be

Kosova serbia be

Zyra e Bashkimit Evropian në Serbi s’e ka ulur në gjysmë-shtizë flamurin në ditën kur ky shtet, shpalli ditë zie për tre terroristë të vdekur në Kosovë.

Në një përgjigje për “Kallxo.com”, zëdhënësi Peter Stano deklaroi se BE-ja nuk glorifikon e vajton kriminelë dhe terroristë.

“Kemi parë që Serbia e ka shpallur dje ditë zie. Delegacioni i BE-së në Serbi nuk e uli flamurin e BE-së. Në përgjithësi, BE-ja është në thelb kundër glorifikimit dhe vajtimit të kriminelëve dhe terroristëve.” – citohet të ketë thënë ai.

Zëdhënësi evropian ka përmendur se zyra e BE-së në Kosovë vendosi flamurin në gjysmë shtizë në nderim të heroit Afrim Bunjaku, policit të vrarë nga grupi terrorist të dielën.

“Të hënën, Zyra e BE-së në Prishtinë ka vendosur flamurin e BE-së në gjysmë-shtizë për të nderuar policin e vrarë dhe policët e plagosur të Kosovës, viktima të sulmit të tmerrshëm terrorist të së dielës. Qëndrimi i BE-së për sulmin u shpreh qartë në deklaratat e HRVP-së (Josep Borrell) të lëshuar më 24 shtator. Për më tepër, sulmuesit nuk duhet të barazohen kurrë me viktimat.” – ka deklaruar ai.