Bashkimi Evropian ka inkurajuar sot partitë politike në Kosovë ta respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses dhe të konstituojnë sa më shpejt legjislativin e nëntë, pak orë pas dështimit më të fundit të deputetëve për ta zhbllokuar ngërçin politik.
Zyra e BE-së në Kosovë tha për Radion Evropa e Lirë se blloku “po i ndjek me kujdes zhvillimet që lidhen me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë”.
Deputetët u mblodhën sot për vazhdimin e seancës konstituive, pasi dy ditë më parë gjykata më e lartë e vendit e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me këtë çështje, i cili i detyron ata ta bëjnë Kuvendin e ri brenda 30 ditësh, i cili skadon më 18 shtator.
Megjithatë, konstituimi dështoi pasi asnjëra prej dy kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa , Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk arritën t’i marrin më shumë se 57 vota, që është 4 vota më pak se të paktën 61 votat e nevojshme.
Zyra e BE-së theksoi se “formimi i shpejtë i Kuvendit dhe i Qeverisë është thelbësor për Kosovën që të ecë përpara me reformat e rëndësishme në të gjitha sektorët, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe standardin e jetesës së qytetarëve të Kosovës”.
Ndërkohë, Ambasada e Italisë në Prishtinë, e pa si diçka inkurajuese faktin që Vetëvendosje propozoi një kandidat të ri për kryeparlamentar, pasi në të kaluarën kishte propozuar vetëm Albulena Haxhiun.
Në një përgjigje me shkrim për REL-in, Ambasada italiane tha se propozimi i Donika Gërvallës “tregon gatishmëri për të bërë përparim, i cili do të duhet të konfirmohet në ditët në vijim”.
“Shpresojmë që të gjithë aktorët politikë të punojnë me përgjegjësi për të siguruar konstituimin e Kuvendit me kohë, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.
Pas seancës, Vetëvendosje akuzoi partitë e tjera të mëdha në Kuvend, PDK, LDK dhe AAK, se me këtë dëshmuan se emri i Albulena Haxhiut nuk ishte problemi kryesor, por se ato “po synojnë bllokimin e formimit të institucioneve”.
PDK përsëriti qëndrimin se ka votë vetëm për një kandidat të Vetëvendosjes, i cili nuk ka qenë pjesë e Qeverisë në mandatin paraprak. LDK-ja tha Vetëvendosje e ka ditur që Haxhiu dhe Gërvalla nuk kanë vota të mjaftueshme.
Në të kaluarën, LDK ka thënë vazhdimisht se nuk e voton asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Ndërkaq, AAK-ja tha se pret që edhe në seancën e radhës Vetëvendosje të propozojë emra për të cilët nuk ka mbështetje.
Nisma Socialdemokrate tha se do të abstenojë dhe nuk do të japë votë për pa u arritur një marrëveshje politike.
Vazhdimi i seancës u caktua për të premten, më 22 gusht, transmeton KosovaPress.


















