Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës nga drejtimi i Komisionit Qendror Zgjedhor.
Shefi i kësaj zyre, Tomas Szunyog ka komentuar këtë vendim duke theksuar se është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës.
“Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Osmani për të shkarkuar shefen e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhje lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje” shkroi ai.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme, presidentja Osmani mori vendim për shkarkimin e Valdete Dakës. Shkarkimi i saj nuk është mirëpritur nga shoqëria civile dhe pati reagime të njëpasnjëshme pas këtij vendimi i cili u cilësua politik.
Përpos kësaj është paralajmëruar që vendimi i Vjosa Osmanit për shkarkimin e Valdete Dakës të çohet në Gjykatën Kushtetuese.
Presidentja Osmani pas shkarkimit të Dakës ka emëruar dje drejtuesin e ri të KQZ-së e që është Kreshnik Radoniqi.


















