Branimir Stojanoviq është një ndër zëvendëskryeministrat më të ri që ka pasur Kosova. Kur partia e tij, Lista Serbe, vendosi të hyjë në koalicion me PDK-në e LDK-në, ai la postin e kryetarit të Graçanicës për t’u bërë zëvendës i Isa Mustafës.
Por, në një dokumentar të realizuar në vitin 2007-2008, ai thotë se gjithmonë Kosova do të jetë Serbi. Tregimin e nis për shtëpinë e tij në Graçanicë, të cilën thotë se ia dogjën shqiptarët, raporton KTV.
“Jo të gjithë shqiptarët janë të këqij, ka edhe të mirë dhe ata janë fqinjët tanë. Ne jetuam bashkë sikur vëllezër. Kur filloi lufta, shqiptarët u larguan nga këtu dhe vetëm disa serbë qëndruan. Babai im kishte ruajtur një shtëpi të familjes shqiptare”, ka thënë ai.
7 vjet pas kësaj deklarate, Branimir Stojanoviq i veshur në kostume politikani, ulet në krah të Mustafës e Thaçit, së paku një herë në javë.
Në dokumentarin që është prodhim i “Viewster” dhe “Këshillit kanadez për Art”, pos serbëve, flasin edhe shqiptarët që tregojnë për tmerret e luftës.
Stojanoviq ndërkaq tregon se mësimet që “Kosova është Serbi” do t’ua përcjellë edhe gjeneratave të tjera, transmeton Koha.net.
Ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq, e quan budalla, por jo se urdhëroi vrasje të fëmijëve e grave, por sepse Stojanoviq thotë se “ai i shkatërroi njerëzit e tij”.