Nxënësit në kantonin e Basel-Land janë të obliguar që t’i japin dorën mësuesve, ose prindërit e tyre mund të dënohen deri në pesë mijë franga.
Parlamenti zviceran ka hedhur poshtë një propozim për një ligj federal, që do t’i obligonte nxënësit në Zvicër që të shtrëngojnë duart me mësuesit e tyre.
Propozimi kishte ardhur nga Partia Popullore (SVP), por që nuk kishte marrë votat e mjaftueshme, ka njoftuar agjencia e lajmeve “ATS”, shkruan ‘The local”.
Projektligji u paraqit si rezultat i zemërimit të vitit të kaluar, kur në një shkollë në Therwil, në kantonin e Basel-Land, dy djem myslimanë refuzuan t’i japin dorën mësueseve të tyre për arsye fetare, përcjell albinfo.ch.
Shkolla fillimisht e lejoi këtë, por shkaktoi shumë zhurmë në Zvicër, me njerëz që thoshin se refuzimi i djemve ishte një fyerje ndaj kulturës zvicerane, meqë shtrëngimi i dorës mes nxënësve dhe mësuesve të tyre është zakon në Zvicër. Kështu ishte shprehur edhe ministrja e drejtësisë, Simonetta Sommaruga.
Dy muaj më vonë autoritet arsimore në Basel-Land vendosën që të përjashtojnë dy djemtë, sepse interesi publik në lidhje me integrimin e të huajve dhe barazinë midis burrave e grave i tejkaloi lirinë e fesë të nxënësve.
Nxënësit në kanton tani janë të detyruar të shtrëngojnë duart, ose prindërit e tyre do të gjobiten deri në 5 mijë franga. Ky dënim vlen nëse një nxënës nuk i jep dorën mësueses, apo një nxënëse mësuesit, pra kur gjinia është e kundërt.
Kantonët e tjerë janë të lirë të vendosin temat e tyre rreth kësaj çështje, por parlamenti vendosi se kjo nuk ishte një çështje federale.