Zvarritet zgjedhja e prokurorëve për krimet e luftës

E publikuar: 10/10/2015 23:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në departamentin për Krime të Luftës, ende nuk ka prokurorë të caktuar për të hetuar krimet e luftës.
Kanë aplikuar prokurorë nga të gjitha Prokuroritë e vendit për të marrë tri pozitat në departamentin për Krime të Luftës, në kuadër të Prokurorisë Speciale, por nuk dihet se kur do të bëhet rekrutimi i tyre.

Në këtë departament ende nuk ka prokurorë të caktuar për të hetuar krimet e luftës, por këto raste janë duke iu ndarë me radhë të gjithë prokurorëve të kësaj prokurorie.

Ishte premtuar se ky proces do të përmbyllej para shtatorit, por Liridonë Kozmaqi-Haradinaj, zëdhënëse e Prokurorit të Shtetit nuk ka dhënë ndonjë aftë se kur do të përfundojë ky proces.

Ajo më tej ka shtuar se është në procedurë e sipër rekrutimi i tre prokurorëve të rinj në Prokurorinë Speciale dhe pas përfundimit të këtij procesi kryeprokurori i Shtetit dhe ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale do t’i caktojnë prokurorët dhe stafin mbështetës që do të punojnë në këtë departament. /Tribuna Channel/