Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai është takuar me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, pas incidentit të djeshëm mes sigurimit të Aeroportit të Shkupit dhe presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Fetai bëri të ditur se e informoi Gërvallen se institucionet maqedonase janë duke i kryer hetimet e nevojshme dhe sipas tij, do të ketë përgjegjësi për çdo shkelje “që mund të konstatohet nga incizimet e kamerave të aeroportit”.
“I dëgjova shqetësimet e Ministres, e cila më njoftoi se sjellje të pahijshme karshi delegacioneve të larta të Republikës së Kosovës ka pasur në mënyrë të përsëritur përgjatë viteve nga ana e personelit të sigurisë të angazhuar nga kompania në fjalë.”
“U pajtuam se raportet ndërshtetërore në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe se do të angazhohemi bashkërisht për t’i thelluar ato edhe më tej, mbi bazën e partneritetit, si shtete aleate që ndajnë vlera të përbashkëta dhe janë të lidhura ngushtë në çdo rrafsh.” – tha ai.
Sigurimi i Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, dje ka tentuar që me forcë t’ia marrë telefonin presidentes Osmani, e madje sipas tyre, kanë tentuar që ta shtyjnë edhe fizikisht.
Për këtë, kanë reaguar policët e Kosovës që ishin në përcjellje të Osmanit, teksa ministrja e Jashtme, Gërvalla, sot ka bërë të ditur se i ka çuar notë proteste Maqedonisë së Veriut.