Zëvendësavokatja e Popullit, Majlinda Sinani-Lulaj, ka njoftuar se gjatë ditës së sotme janë raportuar ankesa të shumta lidhur me vështirësitë në votimin me asistencë.
Ajo ka theksuar se, sipas informatave nga terreni, asistenca u është lejuar vetëm personave me aftësi të kufizuara që posedojnë dëshmi zyrtare, ndërsa personave që nuk dinë shkrim e lexim nuk u është mundësuar një gjë e tillë.
“Ka konfuzion te votuesit, sidomos kur u thuhet se pa dëshmi për aftësinë e kufizuar nuk mund të votojnë me asistencë. Po ashtu, nuk ka sqarime të qarta për personat që nuk dinë të lexojnë e shkruajnë”, ka deklaruar Sinani-Lulaj në emisionin Zgjedhjet në Kohë.
Ajo ka shtuar se edhe disa persona të moshuar kanë hasur vështirësi në proces.
Ndërkohë, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se ligji nga viti 2023 nuk i njeh më personat që nuk dinë shkrim e lexim si kategori për votim me asistencë.
“E drejta e votës nuk u mohohet, por asistimi lejohet vetëm deri te kutia e votimit; vota duhet të hidhet vetë”, ka thënë Radoniqi.















