Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ua ka shtyrë afatin operatorëve energjetikë për dorëzimin e kërkesës për rritje të tarifave të energjisë elektrike.
Burime të Indeksonlinet brenda ZRRE-së bëjnë të ditur se afati i fundit për dorëzimin e kërkesave, përfshirë të dhënat mbi të hyrat dhe kostot, është shtyrë deri të mërkurën.
Sipas po të njëjtave burime, operatorët janë obliguar që deri në këtë afat të paraqesin dokumentacionin e plotë financiar, i cili përfshin raportet mbi shpenzimet dhe të hyrat, si pjesë e procesit të shqyrtimit për rregullimin eventual të tarifave të energjisë elektrike.
Procesi i rregullimit të tarifave të energjisë realizohet çdo vit, ndërsa tarifat e reja publikohen zakonisht në muajin prill, pas përfundimit të analizës nga ZRRE-ja dhe konsultimeve me palët e interesit.
ZRRE-ja pritet që pas pranimit dhe vlerësimit të kërkesave të operatorëve të dalë me vendim përfundimtar lidhur me ndryshimet e mundshme të faturave të energjisë për konsumatorët.

















