Prokuroria e Shtetit, që më shumë se 1 vit e dy muaj ka në dorë një Kallëzim Penal të ngritur nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndaj dy pjesëtarëve të Policisë dhe tre të dyshuarve tjerë, për montim të një rasti kriminal, e që nuk është marrë asnjë veprim hetimor. Megjithëkëtë, Zyra e Prokurorit Disiplinor thotë se nuk ka evidentuar asnjë sjellje të pahijshme ndaj Prokurorit që po merret me rastin, pas hetimit që ZPD’ja ka kryer pas raportimeve të Gazetës Express.
Zyra e Prokurorit Disiplinor ka hetuar rastin e Prokurorisë së Shtetit, për kallëzimin penal të IPK’së ndaj dy policëve dhe tre të dyshuarve tjerë, që dyshohen se montuan dhe detyruan një të pafajshëm të pranojë fajësisë në një proces gjyqësor për tentim vrasje.
ZPD’ja konfirmon se për dyshimet për neglizhencë janë marrë nga Gazeta Express, por që sipas tyre nuk rezultuan me elemente të sjellës së pahijshme të prokurorit që po heton rastin.
“ZPD sipas detyrës zyrtare bazuar në informacionet e marra nga Gazeta Express ka filluar me grumbullimin e informacioneve relevante në Prokurorin Themelore për të gjetur nëse ka elemente të mundshme të sjelljes së pahijshme në rastin konkret (neglizhencë, etj..). ZPD ka gjet se, në rastin konkret, lënda është ndarë në punë shumë shpejt tek prokurori i ngarkuar me këtë rast”, thuhet në një përgjigje të ZPD’së.
“Edhe pse ky rast për shkak të rrethanave objektive është në proces, ende i pa përfunduar, ZPD tani për tani nuk ka arritur të gjej elemente të mjaftueshme të sjelljes së pahijshme”, thotë Zyra e Prokurorit Disiplinor për Gazetën Express, duke shtuar se informacione më të detajuara nuk mund të jap “për shkak se procedua është duke vazhduar tutje dhe mund të dëmtohet rasti”.
Gazeta Express në fund të shtatorit ka raportuar për kallëzimin penal që IPK-ja ngriti ndaj hetuesit policor Osman Gashit dhe policit kufitar Bekim Xhoni, bashkë me tre të dyshuar tjerë për montim të një rasti kriminal.
Kallëzimi penal shfaq dyshimet hetuesi nga Prishtina, Osman Gashi, me qëllim ka neglizhuar punën e tij, duke mos kryer shumë veprime të nevojshme hetimore për rast tentim-vrasje për të cilin ishte dënuar pafaj K.G..
Ndërsa, polici Bekim Xhoni, sipas këtij kallëzimi penal, dyshohet se si pjesë e grupit, me tre të dyshuarit e tjerë, që përmenden në të njëjtin dokument, Agim Aliun, Armend Spahiun dhe Selim Selimin, kanë detyruar të akuzuarin K.G. që ta pranojë fajësinë për veprën penale.
Disa ditë pas publikimit të kallëzimit penal, Express ka nxjerrë edhe një fotografi të shefit të IPK’së Hilmi Mehmeti duke drekuar në shoqëri me policin Bekim Xhoni për të cilin institucioni që ai drejton, ka ngritur dyshime se është i përfshirë në rastin në kallximin penal të lartcekur.
Express, po ashtu ka raportuar se policët Osman Gashi dhe Bekim Xhoni vazhdojnë punën e tyre të njëjtë në Policinë e Kosovës, përkundër se në një kallëzim penal të ngritur nga IPK’ja para më shumë se një viti, të dy këta policë dyshohen se janë të përfshirë në montimin dhe detyrimin e një personi të pafajshëm që ta pranojë krimin të cilin, sipas të njëjtit dokument, nuk e ka kryer. /GazetaExpress/.



















