Çaji i zi apo çaji i rusit, siç njihet në masë të madhe, mban një zog të zi në ambalazh, që njihet edhe si emblema e këtij produkti.
Pikërisht ky zog është bërë shkak që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë të shfuqizojë dy kompani që me vite të tëra ishin distributorë të këtij produkti, raporton KTV.
“Lira Brend” dhe “Emona Brend” janë dy këto kompani që markat e tyre u shfuqizuan pas kërkesës që ushtroi në Agjencinë e Pronësisë Industriale në mesin e 2015-ës “The Maharaja, A.F. Jones”, pavarësisht se të dyja këto kompani ishin pajisur me marka tregtare më 2014.
Agjencia më 15 mars të 2014 i ka njohur zogun e “Emona Brendit” si markë tregtare për produktin e çajit të zi, ndërsa në shtatorin e po atij viti kishte regjistruar zogun identik për markë tregtare edhe për “Lira Brend”.
Të dy këto kompani kishin zhvilluar konkurrencën në paqe deri në momentin kur “The Maharaja, A.F. Jones” më 15 korrik të 2015-ës do të aplikonte për të njëjtën markë tregtare dhe kërkoi shfuqizimin e tyre.
Pronari i “Lira Brend”, Ilir Zejna, thotë se e gjitha u bë për faktin se MTI po dëshiron të fusë në treg një kompani të tretë, e cila do të eliminojë të dyja kompanitë vendëse.
E, në anën tjetër, kompania “Emona Brend” i ka konfirmuar Kohavisionit se është shfuqizuar edhe marka e tyre, por që aktualisht ata nuk duan të flasin, pasi po presin verdiktin e gjyqësorit.
Ministria e Tregtisë nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, me arsyen se po merren organet e drejtësisë me të, përcjell Koha.net. Por, ka hedhur poshtë idenë se markat u shfuqizuan për të lejuar një kompani të tretë të hyjë në tregun e Kosovës.