Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, ku dy vetura të parkuara brenda parkingut të autosallonit “Lipjani” janë përfshirë nga zjarri.
Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, rasti është raportuar më 03.01.2026 rreth orës 02:00, ndërsa njësitë relevante policore dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Zjarri është lokalizuar me kohë, duke shmangur përhapjen e mëtejme, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme të mëdha materiale.
Ankuesi ka deklaruar se nga ky incident i është shkaktuar dëm në vlerë rreth 230 mijë euro.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, sipas Policisë, dyshohet se një person i panjohur e ka shkaktuar zjarrin me qëllim, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me autorizim të të cilit rasti është iniciuar si vepër penale “Zjarrvënie”, ndërsa hetimet janë marrë nga Njësia e Hetimeve Rajonale – Prishtinë.
Hetimet janë në zhvillim dhe pritet që autoritetet të dalin me detaje shtesë në vazhdim./Periskopi/


















