Reali i Madridit edhe pse është në garë për fitimin e titullit, mbetet pas Barcelonës dhe Atleticos për sa u përket mundësive për të ngritur trofenë e kampionit. Për këtë arsye edhe pyetjet e gazetarëve në konferencën për shtyp para takimit të “Santiago Bernabeut” ndaj Valencias, i referohen më së shumti finales së Championsit.
“Cristiano është mirë dhe besoj se do të luajë. Po më pyesni sesi po e përgatis finalen e Championsit dhe unë po iu them se mënyra më e mirë është të mendojmë për dy ndeshjet e mbetura në La Liga. Ndaj Valencias do të jetë e vështirë, por ne do të japim gjithcka, aq më tepër që luajmë në fushën tonë.”
Zidane po jeton një ëndërr në karrierën e tij si trajner, por ai e ka të qartë se gjithcka do të jetë e pavlerë nëse Los Blancos dështojnë të marrin trofe.
“Deri tani nuk kemi fituar asgjë. Duhet të marrim maksimumin ndeshje pas ndeshjeje. Kemi tre sfida për të zhvilluar para finales së Championsit jam i përqendruar te takimet e La Ligas. Duhet të ruajmë ecurinë e 10 ndeshjeve të fundit. Futbollistëve të mi u kam thënë se duhet të besojmë përderisa jemi ende në lojë për titullin.”