Zhurma komb a fe është bërë një ushqim konfliktesh dhe protagonizmash në skenën joformale publike ndër shqiptarët dhe në këtë kontekst edhe në Kosovë. Tonet dhe diskursi arrogant shpërthyen veçmas pas vitit 1999. Rrjetet sociale këtë punë e lehtësuan dhe madje edhe e shndërruan në akt subtil. Refleksionet konfliktuale verbale e shkrimore, në formën e opinioneve dhe mesazheve personale, në vend të një debati të mundshëm konstruktiv për paqe fetare, sikur edhe për tema tjera sociale, kulturore a politike, përmbajnë kauzë, arbitraritet dhe agjendë konfrontuese ndërfetare.
Konfrontimet nuk burojnë nga një pus i vetëm, ta zëmë ndonjëherë i arsyetueshëm, sikur është injoranca. Me të drejtë thoshin moralistët e shekulit XVIII, se guximi më i rrezikshëm është padituria. Pra, nuk bëhet fjalë në tërë këtë zhurmë vetëm për të paditurin fatkeq. Dinamika e rifreskimit tematik të konflikteve e tensionimeve, territori i gjerë konfronutes, na rikujton agjendën që e stimulonte formalisht regjimi serb në Kosovë: fundamentalistët islamistë, fundamentalistët katolikë! Stimulim konflikti i dy fundamentalizmave. Kësaj praktike i përgjgijet fare mirë që në vitet 1930 filozofi (prizrenas) Krist Maloki në Refleksionet kur shkruane se “tek gjendja jonë e varfër shpirtërore sundon e kaluara, gjenden hijet e pushtimeve të hueja e fryma e keqe, që ata krijuan dhe na lanë.” Ata e lanë dhe ne po e mbajmë me devotshmëri, do të ishte një fjali plotësuese në kontekstin e mendimit të Malokit për të sotmen.
…
Përdorimi i gjuhës fyese, përjashtuese, të ashpër (Na dhe Ata), e cila rrëshqet në urrejtje dhe tensione, në realitetin e shoqërisë shqiptare në Kosovë, pos tjerash, provokon kujtimin për një përvojë të freskët dramatike. Janë vetëm më të rinjtë në Kosovë që nuk e kanë para syve a në mendje fotografinë e luftës dhe të shkatërrimeve masive të ushtrisë dhe të milicisë serbe. Kjo ka ndodhur vetëm para tetëmbëdhjetë vjetëve. Kur objektet, shtëpitë dhe gjithçka që ngrihej lartë po shkatërrohej. Kur ata që shkatërronin kishin vetëm një motiv: dyzonin nacionalen dhe religjozen për të kryer aktin kryesor-spastrimin etnik të shqiptarëve. Nuk dallonin shqiptarin katolik nga shqiptari musliman as në Meje, as në Gjakovë, as në Klinë. Prandaj në këto dyqind vjet, shteti serb ndërtoi kujdesshëm dhe sistematikisht për shqiptarët etiketën e fundamentalizmit, qoftë mysliman, qoftë katolik, të cilën e përdorë sa herë i duhet. Rrënuan xhami dhe kisha katolike, sepse në propagandën shtetërore ishte konstruktuar rreziku i barabartë: “nga shqiptarët muhamedanë dhe katolikë”. Kështu ishte edhe në vitin 1945. Ata vranë njësoj, shqiptarët me besime të ndryshme, Marie Shllakun e Bernard Llupin, sikur edhe Mulla Idriz Gjilanin e Shyqri Prishtinën.
…
Fundamentalistë të krejt feve, shkruan Eduard Said, gjenden njëlloj tek të gjitha fetë, sikur që ka fundamentalistë edhe nacionalistë në mesin e të gjitha kombeve. Të dy këto kontigjente ekstreme nuk pranojnë barazinë, tolerancën, mirëbesimin dhe pluralizmin e identiteteve si të mundshme të jetojnë në një hapësirë të përbashkët paqeje fizike, kulturore, fetare dhe politike. Këta ekstremistë, sipas kësaj logjike, duan edhe ndarjen e territoreve, krijimin e kufijve, spastrimin e hapësirave dhe nëse nuk e arrijnë në tokë, së paku këtë e bëjnë në terrene virtuale. Dhe në këtë mision sot, jo pak u ndihmon teknologjia informative, e cila është lehtë e përdorshme për të kryer misione indoktrinimi dhe aktivizmi radikal.
Kështu, konstruohen me shumë pak mund, kufijtë vetidentifikues, për të përjashtuar gjithë të tjerët që nuk janë, jo pak si ata, po plotësisht të ngjashëm sikur ata. Ky kontigjent “Besimtarë” nuk pranojnë as harmoninë vëllazërore, të cilën e proklamojnë dhe praktikojnë besimet monoteiste. Duke shikuar përtej këtyre vlerave u bëhet se arrijnë që besimin personal ta shndërrojnë në një kauzë kolektive.
Debatet si zhurmë, andaj në këto vite të fundit, jo pak prodhuan keqinterpretime në pyetjen: komb a fe? Natyrisht se mbrapa kësaj fjalie mbetet një pikëpyetje e madhe dhe shqetësuese. Pse ka kaq entuziastë dhe të palodhshëm në nxitjen dhe mbajtjen e konflikteve ndërfetare? A mos këto agjenda publike që dalin pa pushim për të mbajtur gjallë mobilitetin konfrontues ndërfetar, përgjasojnë në thënien: “Në rastësi nuk mund të ketë gjithmonë jorastësi.”
Natyrisht diskutimet, qasjet kritike janë të dobishme gjithmonë edhe për këtë temë, por shpërthtimet emocionale për çfarëdo çështjeje a pune që ka të bëjë me besimet, nuk është se ndihmojnë gjë. Përkundrazi, vetëm sa mjegullojnë të drejtën dhe lirinë e besimit dhe të besimtarit. Pikërisht kjo fare qartë është shkruar si e drejtë kushtetuese: Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve fetare
…
Udhëpërshkrues, diplomatë, gazetarë, studiues, politikanë etj, kanë theksuar tolerancën ndërfetare si një nga vlerat kryesore të shoqërisë shqiptare. Këtë të dhënë nuk e injorojnë as jodashamirësit mbasi ishte një e mirë e dukshme, sikur edhe një mosfavorizim i përzierjes dhe grindjeve: “identiteti nacional a identiteti religjioz”. Sami Frashëri, po në këtë temë, shkruante se shqiptari nuk njeh grindjet e fesë dhe luftërat e përgjakshme fetare, që kanë njohur popujt e Lindjes dhe të Perëndimit. Bashkimi i vërtetë dhe i fortë është ai që mbështetet mbi një themel parimor, mbi bindje të përbashkëta.
Shqiptarët, me shumë besime, nuk i dhanë asnjë religjioni komponentin kombëtar, sikur ishte rasti me popuj evropianë, aziatikë apo amerikano-jugorë. Anglia u identifikua me protestantizmin, sikur edhe Prusia, po në anën tjetër Rusia, Greqia dhe Serbia u identifikuan me ortodoksinë, sikur amerikano-jugorët me katolicizmin apo disa nga shtetet arabe me muslimanizmin. Fatet e popujve janë të ndryshme.
Tashti, kaq vjet më vonë, riaktualizohen mendimet e Samiut për identitetin (fetar) të shqiptarëve, këtë që e thoshte edhe Said në një kontekst universal: Kombi-komb e feja-fe. E thënë kaq lehtë, por jo krejt e thjeshtë as sot e kësaj dite, për të qenë pikërisht kështu si thuhet.