Zhgënjehen tifozët shqiptarë – UEFA e “kursyer”, nuk sigurojnë bileta për Euro 2024

E publikuar: 27/01/2024 21:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sigurimi i një bilete për kampionatin evropian rezultoi një mision i pamundur për tifozët kuqezi, të cilët kanë marrë një tjetër zhgënjim nga UEFA. Përgjatë së enjtes, nëpërmjet e-mail, qeveria evropiane e futbollit ka komunikuar përgjigjet për aplikimet e bëra, ku për tifozët shqiptarë përgjigjet kanë qenë negative.

Shkak për këtë refuzim, sipas UEFA-së është bërë numri i lartë i aplikimeve, i cili arrin shifrën e 30 milionëve.

Në këtë situatë, gjasat për sigurimin e një bilete ishin të pakta. Të gjithë tifozët të cilët kanë aplikuar mund të kontrollojnë përgjigjet e tyre dhe në portalin e UEFA-s, aty ku shkruhet se faza e përzgjedhjes tanimë ka përfunduar.

Fatlumët do të mund të vijojnë më tej për të kryer pagesën, ndërsa çmimet nisin nga 30-400 euro për një biletë. Shansi i vetëm ku mund të përfitojë një tifoz i pakualifikuar është vetëm në momentet kur njëri prej fituesve vonon kryerjen e pagesës, por kjo pak gjasa ka të ndodhë.

Duket se pjesa më e madhe e tifozëve fitues janë ata të vendit organizator, pra Gjermanisë edhe pse UEFA nuk ka konfirmuar shifra fikse sa i përket shpërndarjes.

Kujtojmë se Shqipëria është shortuar në grupin B me Kroacinë, Italinë dhe Spanjën. Aventura e kuqezinjve në finalet e kompeticionit do të nisë në 15 qershor ndaj Italisë në Dortmund, 4 ditë më pas ndaj Kroacisë në Hamburg dhe ndeshja e tretë ndaj Spanjës në Dusseldorf më 24 qershor. /euronews.al