Prokuroria Themelore e Prishtinës ka lëshuar një njoftim për publikun lidhur me rastin e zhdukjes së Bedri Rexhepit.
Bedri Rexhepi ëshë zhdukur që nga 8 prilli dhe prej asaj dite nuk dihet gjë për të.
Përmes një njoftimi për medie, Prokuroria bën të ditur se Prokurori i Shtetit është duke punuar me seriozitetin maksimal dhe me të gjitha kapacitetet që disponon në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, për këtë rast.
“Prokurori i Shtetit ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast, me urdhër të njëjtit është ndaluar një (1) person i dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi” dhe një (1) person i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Shantazhi”, “Prezantimi i rremë si person zyrtar “, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Manipulimi me prova”, të parapara sipas KPRK-së, të cilët ndodhen nën masën e paraburgimit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Më tej, Prokuroria thekson se përkundër bashkëpunimit me KFOR-in dhe FSK-në, ende nuk kanë arritur ta identifikojnë vendndodhjen e Rexhepit.
Deri më tani, përkundër bashkëpunimit edhe me strukturat e sigurisë së Kosovës, si KFOR-i, FSK-ja, etj, nuk kemi arritur ta identifikojmë vendndodhjen e tani të dëmtuarit B.R.
“Ne e kuptojmë shqetësimin e familjes së të dëmtuarit dhe të shoqërisë në përgjithësi për faktin se deri më tani nuk është ndriçuar në tersi kjo çështje penale, mirëpo ju njoftojmë se prokuroria është duke e trajtuar me seriozitetin më të lartë këtë rast”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë”, njofton prokuroria.



















