Zhdukja e të riut nuk ka të bëjë me incidentet e fundit në veri

E publikuar: 11/04/2015 16:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtari i lartë i policisë për pjesën veriore të Kosovës, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se policia i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura operative dhe hetimore në kërkim në bazë të dyshimit se një person, “mund të ketë qenë në lumin Ibër”. Ndërkohë Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Francesco Paolo Figliuolo, ka autorizuar Njësinë e Zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që të operojë në afërsi të lumit Ibër në Komunën e Mitrovicës.

Më parë ishte raportuar se personi i zhdukur ishte një shqiptar 17 vjeçar, me mbiemrin Alushi.

Hoti theksoi se “rasti është regjistruar si person i humbur, por besohet se i njejti gjendet diku në lumin Ibër”.

Zëdhënësi Hoti tha se policia e ka një dëshmitar, “që ka qenë me të.

“Kanë qenë së bashku me qëllim të kryerjes së një rasti të vjedhjes dhe pastaj kanë ikur në drejtim të Ibrit”, tha Hoti, duke shpjeguar se “jemi duke bërë përpjekje, ta zëmë e kemi KFOR-in, dhe i angazhojmë njësitë e zhytësve, të zjarrfikësve dhe njësitë policore nga Leposaviqi, Zveçani dhe Mitrovica Veriore”.

Ai mëtutje ka njoftuar se prej atij momenti po zhvillohet një hetim intensiv për të riun e humbur, “në të dy anët e lumit Ibër”, dhe ka shtuar se “prokurori është në vendin e ngjarjes së bashku me hetuesit policorë dhe njësitin e specializuar për kërkim me qen”.

I pyetur se a mund të ketë kjo lidhje me incidentin e fundit në pjesën veriore të Mitrovicës, zoti Hoti është përgjigjur kategorikisht se “absolutisht jo, nuk ka të bëjë asgjë me incidentin e fundit”.

Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Francesco Paolo Figliuolo, ka autorizuar Njësinë e Zhytësve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që të operojë në afërsi të lumit Ibër në Komunën e Mitrovicës, me qëllim të realizimit të aktivitetit të kërkim – shpëtimit për një person që mendohet të jetë zhdukur.

Sipas një njoftimi të KFOR-it, autorizimi jepet pas kërkesës zyrtare nga Shefi i Operativës Rajonale – Veri, Policia e Kosovës, përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bazë të urdhrit të prokurorit kujdestar.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Veri do të jetë përgjegjëse për koordinimin e këtij aktiviteti, së bashku me Njësinë e Zhytësve të FSK-së dhe me Detaçmentin e Përbashkët Rajonal të KFOR-it. FSK-ja do ta ngrehë qendrën e përkohshme të zhytjes në bregun jugor të lumit Ibër, pasi që KFOR-i momentalisht nuk ka kapacitete të zhytjes në Kosovë. Aktiviteti i sotëm humanitar është i ngjashëm me aktivitetin e realizuar gjatë korrikut të vitit të kaluar, kur Komandanti i KFOR-it autorizoi Njësitë e FSK-së që të operojnë në liqenin e Gazivodës (komuna e Zubin Potokut)”, thuhet në njoftim