Zhbogar thotë s’ka më asnjë arsye të vonohet themelimi i Speciales

E publikuar: 15/06/2015 11:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nuk shoh asnjë arsye për çfarëdo vonese të mëtejshme për formimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë, u tha medieve të Beogradit përfaqësuesi special i BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, duke theksuar se amendamentet kushtetuese tashmë janë proceduar në Kuvend dhe ligji është i gatshëm, transmeton Koha.net raportimet.

“Nuk ua kam lakmi deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si atyre që përfaqësojnë partitë shqiptare, ashtu as atyre që përfaqësojnë komunitetet. Nga njëra anë ata kanë hallin se si do të manifestohet vota e tyre në të kaluarën e Kosovës, e nga ana tjetër shohin të ardhmen”, citon “Novosti” Zhbogarin.

Rreth pohimeve të tij se çdo zvarritje dëmton Kosovën dhe se Europa ka mënyrë për ta ndëshkuar Prishtinën, Zhbogar tha se nuk kishte përmendur ndëshkimin, por se “nga qendra kryesore çdo ditë na pyesin pse po vonohet Gjykata Speciale”, ka sqaruar.

“Ne ua shpjegojmë se sa është i rëndë e me ngarkesa ky proces. Por, bëhet fjalë për një detyrim ndërkombëtar”, theksoi përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë.

“Të gjitha krimet duhet të hetohen dhe autorët e tyre të ndiqen. Jo vetëm krimet që përmenden në Raportin e Këshillit të Europës, por edhe ato të kryera gjatë e pas konfliktit në Kosovë. Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetrohen”, ka thënë Zhbogar dhe ka shtuar se pikërisht për shkak të mbrojtjes së dëshmitarëve, gjykata do të punojë jashtë Kosovës.