19Shtetet anëtare të BE-së do të mendojnë dy herë kur të vendosin për liberalizimin e vizave për Kosovën, nëse vazhdon hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend.
Kështu ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, në një intervistë në Interaktiv. Ai ka thënë se kosovarët duhet të jenë në gjendje të zgjidhin krizën vetë, por pa përdorimin e dhunës.
Për Bashkimin Evropian përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend vazhdon të mbetet i papranueshëm.
Në një intervistë në Interaktiv, shefi i Zyrës së BE-së në vend, Samuel Zbogar, ka thënë se gazi është vija e kuqe për bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë.
Madje, nëse kjo praktikë vazhdon, Zbogar ka thënë se shtetet anëtare të BE-së do të mendojnë dy herë para se të miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Stabilizimi i situatës politike në Kosovë është shumë i rëndësishëm në këtë proces. Nuk mundet që në të njëjtën kohë të ketë diskutim për liberalizim vizash nga shtetet anëtare të BE-së e në Kuvend të vazhdojë gjuajtja e gazit lotsjellës. Teknikisht mund ta diskutojmë në Komision këtë, por kur të vijë te vendimi politik nga shtetet anëtare, ky është një element shumë i rëndësishëm.
Nuk është se kjo do të thuhet drejtpërdrejt. Por, nëse ka një rekomandim pozitiv dhe i njëjti dërgohet për diskutim te shtetet anëtare të BE-së, disa prej tyre mund të thonë: Pritni pak, mbase është më mirë të shohim se çka po ndodh në Kosovë. Kjo u jep arsye shtesë disa shteteve që kane rezerva që ta shtyjnë procesin”.
Zhbogar ka thënë se BE-ja nuk kërkon miratimin e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvend menjëherë për shkak të situatës politike, porse ky është një kriter që do të monitorohet.
Asociacioni i Komunave Serbe, ka thënë ai, do të krijohet, sepse është pjesë e një marrëveshjeje të dakorduar në Bruksel, dhe se të dyja palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet.
Njeriu kryesor i BE-së në vend tha se qytetarët bëjnë mirë që i shprehin pakënaqësitë e tyre me protesta paqësore, porse mesazhi i tyre po mbytet me përdorimin e menjëhershëm të gazit në Kuvend.
Megjithatë, ai tha se dënon retorikën e të dyja palëve kur ajo nxit dhunë, i pyetur për deklaratën e zv. kryeministrit Thaçi për protestuesit.
©