Pasi Ministria e Arsimit më 12 dhjetor të vitit të kaluar pezulloi nga puna Basri Mujën, drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, zyrtarë të Prokurorisë Speciale thonë se hetimet do të zgjerohen dhe pritet të zgjasin. Bashkë me Basri Mujën po hetohen edhe zyrtarja e kësaj agjencie Ferdije Zhushi dhe ish-zyrtari i UNDP-së Armend Muja.
Sipas Ministrisë së Arsimit vendimi për pezullimin nga puna të Basri Mujës është nxjerrë duke u bazuar në faktin që drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim është duke u hetuar nën dyshimet për kryerjen e veprave penale.
KALLXO.com në pamundësi për të arritur kontakt me Basri Mujën foli me avokatin e tij Mahmut Halimi për ta marrë një vlerësim rreth pezullimit të Mujës nga puna, transmeton KALLXO.com.
Halimi tha se nuk dëshiron të prononcohet para mediave pa prezencën dhe pa konsultimin me klientin e tij Basri Muja.
Sipas Halimit “rasti ende është nën hetime” dhe në këtë fazë ky si avokat flet vetëm me prokurorin.
Në vendimin e ministrit Bajrami thuhet se Basri Muja, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Akreditim pezullohet përkohësisht nga puna deri në përfundimin e procedurës hetimore ndaj tij.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës Liridonë Kozmaqi-Hajdaraj thotë se hetimi kundër Basri Mujës dhe Ferdije Zhushit për shkak të kompleksitetit dhe lëndës voluminoze do të zgjasë.
“Në këtë çështje ende vazhdon të zhvillohet hetimi kundër të pandehurve Basri Muja, Ferdije Zhushi – Etemi etj. Në këtë çështje prokurori ka zgjeruar hetimin edhe për disa vepra të tjera penale si dhe ndaj një personi tjetër”, tha Kozmaqi-Hajdaraj për KALLXO.com përmes postës elektronike.
Kozmaqi theksoi se “pas grumbullimit të të gjitha provave, gjegjësisht pas përfundimit të hetimeve prokurori i çështjes vlerëson se a ka prova të mjaftueshme, të cilat paraqesin dyshim të bazuar mirë, se të pandehurit kanë kryer vepër penale apo jo dhe pastaj do të vendosë për ngritje të aktakuzës”, u shpreh Kozmaqi.
Më 25 nëntor 2014 Gazeta Jeta Në Kosovë shkroi për arrestimet që atëherë qenë bërë në Agjencinë e Akredititmit.
Basri Muja dhe Ferdije Zhushi, dyshohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në vazhdim dhe për veprën penale marrje e ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje, ndërsa Armend Muja dyshohet për veprën penale marrje e ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje.
Në qershor të vitit 2011 emisioni “Jeta në Kosovë” pati zhvilluar një intervistë me Basri Mujën, i cili atëkohë kohë kishte akuzuar Armend Mujën për përfshirjen në ryshfete gjatë procesit të akreditimit të institucioneve.
Armend Muja në atë kohë ishte angazhuar si ekspert për verifikimin e dokumentacionit për plotësimin e kushteve për akreditim për shkollën e lartë të infermierisë, “BIO Medika”.
Tash edhe Basri Muja po dyshohet për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti.