Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se janë duke i trajtuar kërkesat e partive politike për zgjedhjet komunale në qytetet veriore të vendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Klankosova.tv se deri më sot e kanë pranuar vetëm një kërkesë.
“Ju njoftoj se çështja e ndryshimit të disa afateve të aktiviteteve zgjedhore, në mesin e të cilave edhe afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në këto zgjedhje, është duke u trajtuar dhe do t’iu njoftojmë me kohë gjatë ditës”.
“Deri më tani (21 nëntor, 14:00) KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Subjekti politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, ka thënë Elezi, njofton Klankosova.tv.
Ndëkohë, sot anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se në KQZ kanë bërë kërkesë që afati për certifkimin e partive që do garojnë në zgjedhjet e katër komunave në veri, i cili mbyllet sot në orët 16:00, të shtyhet deri më datën 26 nëntor.