Zgjedhjet në Veri: Asnjë incident, pak vota, dy parti fituese

E publikuar: 24/04/2023 07:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Mitrovica veriore

Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, kandidati i Vetëvendosjes në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Lulzim Hetemi po nga radhët e VV-së fitoi garën për kryetar të Leposaviqit me 100 vota, apo 73.5 për qind. Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave apo 196 vota. Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci po ashtu nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota. Zgjedhjet e së dielës u bojkotuan nga shumica e serbëve

Kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq kanë fituar garën për kryetar të këtyre komunave, derisa ata të Partisë Demokratike të Kosovës, kanë ngadhënjyer në Zubin Potok e Zveçan, bazuar në rezultatet preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dielën mbrëma.

Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Lulzim Hetemi nga radhët e VV-së fitoi garën për kryetar të Leposaviqit me 100 vota, apo 73.5 për qind të atyre që shfrytëzuan të drejtën e votës.

Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota. Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci po nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota. Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.

“Do të jem kryetar komune i të gjithë qytetarëve pa dallim. Po na presin punë të mëdha përpara. U bëj apel të gjithë qytetarëve që të kenë besim në institucionin e komunës dhe në mua si kryetar komune”, tha Atiq, pas shpalljes së rezultateve preliminare për zgjedhjet e së dielës.

Zyrtarë të KQZ-së, në konferencën pas mbylljes së vendvotimeve, njoftuan se në këto zgjedhje lokale morën pjesë 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e të gjithë atyre me të drejtë vote në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Pjesëmarrje e ulët në Mitrovicë të Veriut e Zveçan, serbët u binden thirrjeve për bojkot

Në kontejnerët në afërsi të rrugëve e në lagje kryesisht të banuara me shqiptarë, është mbajtur të dielën procesi zgjedhor për kryetarë në dy komunat veriore, Mitrovicë e Veriut e Zveçan.

Ani se të dyja banohen kryesisht nga serbët, pjesëmarrja e tyre në zgjedhje ishte simbolike. Ata iu bindën thirrjeve të subjekteve serbe dhe liderëve shtetërorë të Serbisë, që të mos marrin pjesë në votime.

Edhe ata të paktë që votuan nuk pranuan të flisnin e as të xhiroheshin me frikën që të mos identifikohen.

Procesi zgjedhor ishte i qetë e pa ndonjë incident që do të mund të ndikonte në prishjen e tij. Në afërsi të qendrave të votimit pati prani të madhe të forcave policore dhe të KFOR-it.

E mediat fillimisht u penguan të marrin pamje brenda qendrave të votimit, e më pas u tha se ishte një keqkuptim nga ana e komisionarëve.

Qytetarët shqiptarë të këtyre dy komunave shpresojnë që të ketë ndryshime, pasi në këto zgjedhje kishte vetëm kandidatë shqiptarë, me përjashtim të një kandidateje të pavarur serbe, e cila ka garuar për kryetare të Zveçanit.

Qytetari Selim Tahiri nuk është shprehur shumë optimist për këto zgjedhje.

“Duke e parë situatën që është jo edhe aq e mirë, nuk presim shumë”, ka thënë Tahiri.

Por ndryshe nga ai mendon Nazim Ismajli nga Suhodolli i Mitrovicës.

“Këto zgjedhje janë legjitime dhe duhet të mbahen patjetër, dhe i ftoj të gjithë qytetarët e komunës së veriut që të dalin që të votojnë”, ka thënë ai.

Edhe qytetari Riza Dushi ka thënë se procesi ka shkuar mirë.

“Nuk e di çka me të thënë, me kan’ që ka rezultate, mirë është. Sa i përket sigurisë, nuk i jap peshë asaj, unë menjëherë pas luftës jam ardhë, nuk i kam dhënë rëndësi sa jam i sigurt”, ka thënë ai.

Ani se në zgjedhje nuk morën pjesë subjekte serbe, kishte pjesëtarë të shoqërisë civile me përkatësi serbe që ishin të pranishëm në qendra të votimit si vëzhgues.

Qendrat në veri u vizituan edhe nga kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili i vlerësoi këto zgjedhje si të qeta, përkundër pjesëmarrjes së ulët në votime.

“Ne si KQZ, siç kam deklaruar, i kemi ndërmarrë të gjitha masat që ky proces të shkojë në rregull”, ka thënë Radoniqi.

Por, sipas Ismet Kryeziut nga koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, i cili ka monitoruar zgjedhjet në veri, ka thënë se rrethanat në të cilat u zhvillua procesi zgjedhor nuk garanton zgjedhje të lira, të drejta dhe barabarta.

“Ne si Demokraci në Veprim edhe para procesit kemi vlerësuar se rrethanat aktuale apo politike nuk janë të mjaftueshme dhe të nevojshme për të garantuar zgjedhje të drejta dhe mendoj që vetë refuzimi i qytetarëve serbë dhe i partive politike që të tërhiqen nga gara e etnisë që përbën shumicën në këto katër komuna dhe refuzimi i tyre për të votuar mendoj se është një proces që nuk ka legjitimitetin politik”, ka thënë ai.

E kandidatët për kryetarë në këto dy komuna paradite u bënë thirrje qytetarëve që të votojnë.

Erden Atiq, kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Vetëvendosje ka thënë se pret ndryshime. Dhe ato ndryshime lidhen edhe me emrin e tij. Ai fitoi garën, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.

“Shpreh mundësinë nëpërmjet televizionet tuaja me u bo ftesë të gjithë qytetarëve të komunës veriore të Mitrovicës që të votojnë në numër sa më të madh me përkrahë kandidatin, të cilin ata mendojnë që është më i miri”, ka thënë ai, kur ende po votohej.

Betim Osmani, kandidat për kryetar të kësaj komune nga Iniciativa Qytetare, tha se qytetarët kanë nevojë për institucione të reja sa më shpejt.

“Qytetarët kanë shumë nevojë për institucione tash e sa muaj jemi si qytetarë duke hequr keq për institucione. Ka nevoja shumë për qytetarët edhe shpresoj që do të arrijmë shumë shpejt që të krijojmë këto institucione”, ka theksuar ai.

E, Taulant Kelmendi, kandidat për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga PDK-ja ka kërkuar na qytetarët të votojnë për kandidatin që është më i miri për ta.

“Shpresoj dhe bëj thirrje te të gjithë banorët, te të gjithë qytetarët me të drejtë vote me dalë me votu për kandidatin, për të cilin ata mendojnë që është më i miri për ta”, ka thënë ai.

Kandidatët shqiptarë për kryetar në Leposaviq synojnë bashkëqeverisjen me serbë

Nga 5 qendrat e votimit në Komunën e Leposaviqit, vetëm një është hapur në shkollën “Kadri Bistrica”, ndërsa katër të tjera ishin qendra alternative të vendosura, një në fshatin Koshtovë dhe tri në qendër të qytetit.

Nga 12 mijë e 960 qytetarët me të drejtë vote, në tri qendrat kryesore alternative votuan veç një numër i vogël syresh, kryesisht serbë, që kërkuan të mos xhiroheshin gjatë procesit. E të tjerët zgjodhën bojkotin.

Frekuentim më të madh votuesish pati në Koshtovë dhe në Bistricë të Shalës, pjesë këto të banuara kryesisht me shqiptarë. Ata shprehën optimizmin për ndryshim, si për banorët shqiptarë ashtu edhe për ata serbë.

“Pritëm edhe ma mirë se kryetari i Leposaviqit neve nuk na ka ndihmuar kurrë sen, rrugën na kanë shtru këta të Qeverisë tonë, me pasë prit Komunën e Leposaviqit se kishim shtru kurrë”, ka deklaruar Dibran Behrami, votues.

Edhe Ahmet Musa pret të ardhme më të mirë për komunën ku jeton.

“Presim një të ardhme më të mirë si për shqiptarë si për serbë. Unë jam i fshatit Koshtovë këtu, jetoj në Komunë të Leposaviqit babë e babagjysh qetu jetojnë. Presim mirë si për serbë si për shqiptarë”, ka thënë ai.

Rexhep Hetemi thotë se kushdo që zgjidhet kryetar, pret që qytetarëve, pa dallim etnie, t’u bëhet trajtim më i mirë.

“Pavarësisht se kush zgjidhet kryetar i Komunës së Leposaviqit, serbë apo shqiptarë apo pavarësisht prej kombësive ai duhet me qenë edhe me i trajtu të gjithë banorët njësoj të cilët jetojnë dhe punojë në territor të Komunës së Leposaviqit”, ka thënë Hetemi.

Garën në këtë komunë e fitoi kandidati i VV-së, Lulzim Hetemi.

“Ma merr mendja që do të dalin edhe serbët, e do të qeverisim së bashku me ata serbë. Jo ne jetojmë me shekuj këtu në vendin tonë jemi, Leposaviqi është qyteti ynë, serbëve duhet me u ndihmu tash”, ka thënë Lulzim Hetemi.

Albulena Behluli-Hetemi, kandidate për kryetare të Leposaviqit nga PDK-ja, uroi që procesi të shkojë pa incidente dhe incidente nuk pati.

“I ftoj të gjithë qytetarët që të dalin masivisht në këto zgjedhje. Unë për këto zgjedhje pres që çdo gjë të jetë në rregull dhe të mos ketë incidente”, ka deklaruar ajo.

Në këtë Komunë, zgjedhjet janë mbajtur edhe për asamble komunale. E i gjithë procesi ka rrjedhur pa incidente, teksa për sigurinë e votuesve dhe të komisionerëve janë kujdesur forcat e Policisë së Kosovës dhe ato të KFOR-it.

Në zgjedhjet e tetorit të 2021-s, për kryetar të Leposaviqit ishte zgjedhur Zoran Todiqi nga Lista Serbe, me votat e 9 mijë e 65 qytetarëve.

Kandidatët në Zveçan premtojnë funksionalizimin e administratës komunale

Shkolla “Osman Rama” në Çabër ishte qendra e votimit më e frekuentuara nga 4 gjithsej që ishin hapur për ta zgjedhur kryetarin e Zubin-Potokut.

Në këtë komunë me shumicë serbe, serbët bojkotuan procesin elektoral.

E shqiptarët patën mundësi të votojnë për dy kandidatë, Izmir Zeqirin dhe Flatron Hasanin.

Në Çabër votuesit shprehën pritje se pas zgjedhjeve, autoritetet e reja lokale do të bëjnë më shumë për ta.

“Presim një të ardhme më të mirë. Perspektivë më të madhe, si në fshat, si në shkollë, në të gjitha institucionet”, ka thënë Sarë Sadiku-Selimi, banore e Çabrës.
Naser Selimi, po ashtu banor i Çabrës, u shpreh i lumtur për mundësinë e votimit.

“Për kandidatin e preferuar e hodhëm votën dhe presim më të mirën, të stabilizohet gjendja. Ata janë të shantazhuar nga Serbia, andaj s’kanë marrë pjesë. E ne jemi të gëzuar që kemi marrë pjesë në votime dhe votojmë. Dhe votojmë e gjithmonë kemi votuar për shtetin tonë”, deklaroi ai.

Në fshatin Çabër, të dy kandidatët u zotuan se në rast se fitojnë do të punojnë në interes të qytetarëve dhe si sfidë e theksuan funksionalizimin e administratës komunale, e cila është braktisur nga serbët fundvitin e shkuar.

“Mendoj dhe punoj në atë drejtim fuqishëm, meqenëse një pjesë e dikastereve komunale janë duke funksionuar, siç janë regjistrimi civil, regjistrimi i veturave, Drejtoria për çështje sociale dhe kryesisht udhëhiqen prej komunitetit shqiptar, mirëpo janë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Pjesa tjetër që është tani, besoj se do ta mbulojmë në mënyrën më të mirë të mundshme ashtu si i takon ligjërisht, asgjë jashtë ligjit”, ka thënë Zeiqiri nga PDK-ja, që sipas rezultateve preliminare të KQZ-së është fitues në këtë komunë.
E Flatron Hasani, kandidat i VV-së për kryetar të Zubin-Potokut, tha se niveli komunal do të ketë koordinim më të madh me Qeverinë.

“Do të jemi në koordinim me Qeverinë dhe me ndërkombëtarët dhe besoj se do t’i ndjekim të gjitha instancat ligjore të cilat na takojnë, ta formojmë komunën me kabinetin. Do t’ia shtrijmë dorën e bashkëpunimit çdo qytetari serb, jo kriminelëve, vetëm qytetarëve serbë dhe besoj që do të na bashkëngjiten”, ka thënë ai.

Për zgjedhjet e parakohshme për kryetar të komunës, në Zubin Potok të drejtë vote kanë pasur 6661 qytetarë.

Ndryshe nga Shkolla “Osman Rama” në Çabër, në vendvotimet alternative në kontejnerë që janë vendosur afër vendbanimeve serbe nuk ka pasur fare votues.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

SHBA: Zgjedhjet në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës

Në Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se zgjedhjet e së dielës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ishin në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës. Në një komunikatë të lëshuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë thuhet se ky vend mbështet një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë.

“Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullsisë së cilës i shërbejnë. Votimi është një liri thelbësore e shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatë.

Në reagim vlerësohen përpjekjet e zyrtarëve të zgjedhjeve “për t’i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke ulur mundësitë e tensioneve”, ndërsa u shprehet mirënjohje Policisë së Kosovës, Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit dhe KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet./Koha