Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani e caktoi datën 9 shkurt, si ditën kur qytetarët duhet t’u drejtohet kutive të votimit, edhe pse data e propozuar nga partia e tij ishte 26 janari.
Krasniqi tha se për PDK-në kjo shtyrje është e panevojshme, por sipas tij, kjo tashmë pak ka rëndësi, pasi e rëndësishme është se tash ekziston një datë.
“Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papërgjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”.
“Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë”, shkroi Krasniqi, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se është koha që të bëhen bashkë edhe një herë për KOsovën, që sipas tij, të gjithë e ëndërrojnë.