Tashmë jemi në ditën e fundit të fushatës zgjedhore në vend, ku partitë politike sot mbyllin fushatat e tyre zgjedhore. Derisa nesër do të jetë akti final kur qytetarët me votën e tyre të lirë do të vendosin se kush do ta udhëheqë vendin në 4 vitet e ardhshme, shkruan InfoSot.
E duke e bërë një përkufizim dhe një bilanc të kësaj fushate, ku dorën në zemër liderët dhe subjektet politike kanë përdorur gjuhë nxitëse e të urrejtjes, sikurse edhe për listën e kandidatëve të subjekteve politike për InfoSot ka folur njohësi i çështjeve politike në vend dhe profesori i UP-së, sociologu Fadil Maloku.
InfoSot: Kur jemi në fund të fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e 9 shkurtit, si mund ta përkufizoni prezantimin, programit dhe shpesh gjuhën nxitëse e fyese mes liderëve dhe partive në mes vete?
Fadil Maloku: Nuk hetohet ndonjë ndryshim rrënjësor e do shtoja edhe asi ndryshimi radikal që për mendimin tim kishte me i josh shumë më shumë votuesit potencial, e sidomoa ata “të pa vandosurit”, të cilët ende janë të shumtë. Gjuha nxitëse për mendimin tim, ishte një “kartë” e dobët për të animuar publikun dhe përgjithësisht qytetarinë kosovare. Mendoj se “gjuha” e egërsuar, ajo stigmatizuese apo nëse doni edhe paragjykuese ndaj rivalëve politik, më shumë ka arritur kundërefekte se sa ndonjë “lëkundje” të veçantë në kulturën tonë votuese. Arsyeja kryesore qëndron se përgjithësisht nuk ka pasur argumente e dëshmi apo nëse doni edhe “mbulesë” adekuate për të gjitha akuzat e ngritura kundruall rivalëve politik.
Kjo gjuhë më shumë i ka shërby acarimit se sa konsolidimit racional ndaj mbështetjes.
InfoSot: Cili është vlerësimi juaj për listat në përgjithësi të kandidatëve që subjektet politike kanë prezantuar dhe sidomos emrat e rinj ‘anonimusat’, sa mund ta joshin votuesin me 9 shkurt?
Fadil Maloku: Përzgjedhja e kandidatëve për deputet në legjislacionin e ri, për mendimin tim nuk ka ndonjë ofertë serioze, të stilit të “tryezës suedeze” ku votuesi kishte me mbështet pa hezituar kandidatët që në jetën e tyre kanë dhënë
apo kanë kontribuuar diçka që mbahet në jetën publike, apo atë profesionale. Edhe kësaj radhe kemi anonimusa, e njerëz që katapultohen jo në baza meritokratike, por, në baza fisnore dhe “patriotike”. /InfoSot

















