Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani aktualisht janë pa udhëheqës. Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat. Për t’i zgjedhur kryetarët e ri, një proces zgjedhor do të mbahet më 18 dhjetor, ku garës i kanë hyrë edhe dy partitë më të mëdha, PDK e VV, derisa zgjedhjet u bojkotuan nga Lista Serbe. Për Gazetën Express kanë folur tre kandidatët për kryetarë të komunave veriore – Izmir Zeqiri i PDK-së për Zubin Potok, Erden Atiq i VV-së dhe Betim Osmani i Iniciativës Qytetare “Mitrovica” të cilët kandidojnë për të parin e Mitrovicës së Veriut.
Të dielën e tretë të dhjetorit, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit do t’u drejtohen kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarët e komunave ku jetojnë.
Ndonëse Lista Serbe i ka bojkotuar zgjedhjet dhe në mënyrë indirekte u ka bërë thirrje dhe qytetarëve serbë të veprojnë njëjtë, kandidati i VV-së për kryetar të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq thotë se nuk kanë parë demotivim te qytetarët e kësaj komune.
“Deri tash nuk ka ndonjë demotivim, nuk po vërehet që ka ndonjë ndryshim nga zgjedhjet e viteve të kaluara. Situata është normale dhe nuk ka ndonjë shenjë të pesimizimit. Gjithçka është në rregull”, deklaroi Atiq, raporton Express
Ai foli edhe rreth mundësisë së mospjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje dhe të mospranimit të rezultatit nga bashkësia ndërkombëtare.
“Sipas KQZ-së pa marrë parasysh daljes së votuesve rezultati do të jetë i pranueshëm. Ky është edhe qëndrim i imi si kandidat. Është edhe një kandidat i komunitetit serb, e sa i përket përqindjes së elektoratit nuk jam i njoftuar nëse kjo mundet me paraqit një problem ose mospranim të rezultatit”, tha kandidati i VV-së.
Kundërkandidati i tij, Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare “Mitrovica” shpreson që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe që serbët të dalin të votojnë.
“Shpresojmë që kanë me u mbajt zgjedhje të rregullta, të dalin serbët të votojnë. Këto zgjedhje i kanë zënë qytetarët të papërgatitur, kryesorja probleme nuk ka”, u shpreh ai.
Kur u pyet se a po ankohen serbët që po u bëhet presion nga Lista Serbe për të mos dalë në zgjedhje, Osmani tha se ankesa serbët kanë pasur prej kur është formuar Lista Serbe.
“Ankesa prej qytetarëve serbë ka pasur qysh prej që është formu Lista Serbe, por institucionet tona nuk i kanë marrë me shumë vëmendje këto ankesa, andaj ka ardhë puna këtu ku ka ardh. Lista Serbe edhe i ka largu njerëzit prej punës shkaku që nuk iu kanë bind rregullave të tyre, ndërsa institucionet nuk kanë reagu.
Ndërkaq, Izmir Zeqiri, kandidat i PDK-së për kryetar të Zubin Potokut, në një prononcim për Gazetën Express tha se partitë serbe nuk kanë shfaqur interesim për të marrë pjesë në zgjedhje, derisa shtoi se shqiptarët janë të gatshëm të votojnë.
“Pala serbe në Zubin Potok i ka bojkotu zgjedhjet, sidomos Lista Serbe, por edhe të tjerat nuk kanë shfaqur interesim për të marrë në zgjedhje, mirëpo shqiptarët të gjithë janë të gatshëm që të dalin të votojnë”, tha ai.
Për krytar të Mitrovicës së Veriut kandidojnë Taulant Kelmendi nga PDK, Erden Atiq nga VV, Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica dhe Aleksandar Arsenijoviq nga partia Srpski Opstanak. Ndërkaq, për postin e kryetarit të Leposaviqit ia kanë mësyrë Albulena Behluli-Hetemi nga PDK, Lulzim Hetemi nga VV dhe Aleksandar Jabllanoviq nga Partija Kosovskih Srba. Për të parin e Zubin Potokut janë vetëm Izmir Zeqiri nga PDK dhe Flatron Hasani nga VV, ndërsa për në Zveçan janë Ilir Peci nga PDK, Fetah Peci nga VV dhe Sladjana Pantoviq si kandidate e pavarur.