Shqipëria voton në zgjedhjet parlamentare të së dielës, me shpresën se traditës së manipulimeve, dhunës dhe kontestimit të rezultatit do t’i jepet fund dhe vendi do të marrë shtysën e duhur drejt anëtarësimit europian.
Duke cituar sondazhet e kohëve të fundit, “AFP” shkruan se Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama gëzon një avantazh ndaj PD-së së Lulzim Bashës.
Agjencia prestigjioze e lajmeve vëren se, ndonëse Basha, admirues i presidentit amerikan Donald Trump, i drejton demokratët zyrtarisht prej 4 vitesh tashmë, paraardhësi i tij Sali Berisha mbetet figurë e fuqishme e së djathtës.
Si kreu demokrat, ashtu dhe ai socialist kanë shpjeguar për “AFP”-në këndvështrimin për kundërshtarin. Basha konsideron se Rama ka mbështetur një grusht njerëzish, që morën në duart e tyre ekonominë e vendit dhe një grup kriminelësh, të cilët rrëmbyen pushtetin dhe e kthyen Shqipërinë në “farmaci”, duke iu referuar tërthorazi kultivimit të kanabisit.
Rama shfaqet më konçiz në mendimin e tij. Për kreun e PS-së, udhëheqësi opozitar thjesht nuk është gati për sfidën e qeverisjes së vendit. Përtej përplasjeve, megjithatë, kjo fushatë konsiderohet e para, ku partitë e mëdha praktikisht i kanë ulur armët e luftës.
Për qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, sfidat mbeten të mëdha, duke nisur nga ekonomia e deri te drejtësia. Në raportin e fundit, Bashkimi Europian kritikonte në mënyrë të veçantë sistemin e ngadaltë dhe joefikas të Gjyqësorit, ku korrupsioni mbetet mbizotërues.
Për Ramën, reforma aktuale e këtij sistemi do të prodhojë rezultate pozitive, edhe pse sipas tij do të duhet gati një dekadë, që gjyqësori shqiptar të përmbushë standardet europiane./tch/