Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, pas vizitës zyrtare në Luksemburg, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do të jetë pjesë e panelit për zgjerim dhe ndërlidhje në konferencën për bashkëpunim dhe zgjerim në Ballkanin Perëndimor, në kuadër të “Ditës së Bashkëpunimit Rajonal”.
Në këtë konferencë të nivelit të lartë, e cila është vazhdimësi e asaj të Berlinit dhe vjen para konferencës së Vjenës, do të marrin pjesë edhe ministrat e jashtëm të shteteve të rajonit dhe deputetë të Parlamentit Evropian.
Konferenca organizohet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Zyra Përfaqësuese e Landit të Baden-Württembergut në Bashkimin Evropian, si dhe nga Fondi Evropian për Ballkanin. Në mesin e folësve kryesorë janë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe komisioneri i BE-së për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negoaciatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.