Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, ka pritur sot në takim zyrtar Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm për Shërbim të Jashtëm Europian (EEAS), Maciej Popowski, përgjegjës edhe për EULEX-in, i shoqëruar nga Samuel Zhbogar, udhëheqës i Zyrës së BE-së në Prishtinë, me të cilët ka diskutuar për të ardhmen e EULEX-it dhe zhvillimet e fundit në vend.
Zëvendëskryeministri Thaçi u është falënderuar për angazhimin e vazhdueshëm të EULEX-it për forcimin e kapaciteteve vendore në fushën e sundimit të ligjit dhe ka theksuar se kontributi i prezencës ndërkombëtare në sektorin e sundimit të ligjit në gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit ka krijuar bazamentin më të mirë për të ndërtuar një sektor vendor të drejtësisë të nivelit europian.
Thaçi ka thënë se Kosova tanimë është konsoliduar si shtet dhe duhet të trajtohet si e tillë. Rrjedhimisht, Kosova është e gatshme të marrë të gjitha kompetencat në fushën e sundimit të ligjit.
“Kosova është e gatshme të marrë mbi vete të gjitha kompetencat në sektorin e sundimit të ligjit”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi. “Tani mund të vazhdojmë bashkëpunimin dhe koordinimin për tranzicionin e EULEX-it”, ka thënë ai.