Njëri prej Zëvendëskryeministrave të Qeverisë së Kosovës, Dardan Gashi, ka konfirmuar se në takimin e sotëm të liderëve të pozitës janë marrë vesh për një Rezolutë të re për dialogun.
“U dakorduam për Rezolutë të re për dialogun”, ka thënë Gashi, për Gazetën Express.
Ai ka konfirmuar se rezoluta e propozuar nga Qeveria përmban të gjitha kërkesat e Opozitës.
“Draft rezoluta e koalicionit e cila përfshinë disa kërkesa të opozitës”, ka thënë Gashi, për Express.
“Si Qeveri, si koalicion e kemi ftuar t’i bashkohet Opozitës. Të mos diskutohet niveli i tretë i qeverisjes, të mos ketë ndryshim të kufijve. Presim që opozita t’i bashkohet kësaj Rezoluta. Jemi të hapur për të shtuar edhe detaje”, ka shtuar ai.
Partitë opozitare kishin dështuar të miratonin një rezolutë për të ndaluar Presidentit të fliste për kufijtë. Por, dështuan pasi nuk patën përkrahjen e pozitës.
Aktualisht, Qeveria e Kosovës ka themeluar një Ekip për Dialog që i prinë Fatmir Limaj. Pjesë e këtij grupi janë edhe Dardan Gashi, Enver Hoxhaj, Behgjet Pacolli dhe zyrtarë tjerë të pushtetit.
Takimi për rezolutën e re ka ndodhur në Zyrën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka pasur polemika kohëve të fundit me Presidentin Thaçi.


















