Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka diskutuar në lidhje me numrin e rasteve të periudhës së fundit të personave të prekur me COVID-19 në vendin tonë, dhe për ato që nuk kanë mundur t’i mbijetojnë dhe e humbën jetën.
Sipas tij, është shqetësuese që në mesin tonë ka ende njerëz që mendojnë se nuk mund të preken nga ky infeksion dhe se për shkak të kësaj bindjeje po rrezikojnë të tjerët.
“Pavarësisht thirrjeve tona dhe mjekëve që të ruhemi dhe të kemi kujdes nga ky virus që e ka prekur gjithë globin dhe po prek edhe në terren qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim moshe, po merr edhe jetë njerëzish, ku edhe sot edhe dje dhe pothuajse në gjithë këtë javë kemi pasur një përballje të humbjes së jetës së njerëzve, pavarësisht se këta persona kanë pasur edhe sëmundje tjera, por kanë rezultuar edhe me COVID-19”.
“Ajo çka është shqetësuese në shoqërinë tonë është që edhe përkundër humbjes së jetëve, njerëzit konsiderojnë së janë të paprekshëm, duke e çuar virusin në shtëpi, duke shkaktuar edhe vdekje dhe probleme enorme në institucionet tona shëndetësore, dhe më e keqja është se edhe numri i të infektuarve është i njëjtë për shkak të moskujdesit të tepruar”, deklaroi Zemaj në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.