Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj po merr pjesë në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrime Evropiane të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të Evropës Jug-Lindore “COSAP”.
Në fjalën e tij drejtuar anëtarëve pjesëmarrës në këtë konferencë, Zemaj ka theksuar se njëra prej sfidave më të mëdha të vendeve tona në Evropën Juglindore, është sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe forcimi i insitucioneve demokratike.
” Institucionet e Republikës së Kosovës një prej prioriteteve kryesore e kanë sundimin e rendit dhe Ligjit. Obligimet institucionale që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit janë të prioritizuara me veprimet konkrete përmes dokumenteve siq janë Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendën për Reforma Evropiane”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka theksuar se sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kërkon fillimisht vullnet politik dhe njerëz më të kaluar të pastër, kërkon reforma në infrastrukturën ligjore dhe administrative si dhe përkushtim maksimal institucional./GazetaExpress/
















