Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, thotë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, si opozitar dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, kishin instaluar logjikën se kushdo që negocion me Serbinë është tradhtar.
Zemaj, në seancën e Kuvendi që po mbahet për debatin mbi dialogun, thotë se qytetarët nuk dinë më se kujt t’i besojnë, Kurtit si opozitar apo si pushtetar, njofton Klankosova.tv.
“Është mirë që para se të merresh e të gjykosh gabimet e të tjerëve t’i shohësh gabimet tua zotëri Kurti, Ahtisarin e trashëgove ndërsa plusin e shtove tash me marrëveshjen e fundit. Pakoja e Ahtisarit e bëri Kosovën ndërsa plusin e shtove. U bëre i padrejtë për vetën dhe për vendin, mos të harrojmë se procesi i dialogut që nisi vite me parë me ndërmjetësimin e ndërkombëtareve kishte për qëllim normalizimin e raporteve me Serbinë ndërsa gjithçka refuzohej nga Kurti si opozitar dhe tash edhe si kryeministër”.
“Kryeministri Kurti dhe VV-ja kishin instaluar logjikën se kushdo që negocion me Serbinë është tradhtar, cilit Albin t’i besojmë opozitarit apo kryeministrit – që e pranoji marrëveshjen me lëshime të mëdha ndërsa albini kundërshtues i së kaluarës bënte protesta e sot me deklarata e fsheh dështimin e tij” tha Zemaj.
Zemaj, mes tjerash, tha se Serbia nuk kërkoi falje as për luftën e as nuk ktheu të pagjeturit, sipas tij Kurti duhet t’ju kërkojë falje qytetarëve që negocioi pa kërkuar falje Serbia.