Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka plan dhe as aftësi që të menaxhojë me sektorin e shëndetësisë.
Zemaj në një konferencë për medie shtoi se investimet në shëndetësi janë pothuajse inekzistente, derisa ka përmendur edhe dorëheqjet e dy ministrave.
Ai ka përmendur si shqetësim moslëvizjet në drejtim të krijimit të fondit për sigurime shëndetësore, mungesën e furnizimit me barna nga lista esenciale, dhe listat e gjata të pritjeve të pacientëve.
“Qeveria Kurti s’ka plan dhe duket se s’ka as aftësi që të menaxhojë me shëndetësinë. Një ministër e largoi në mes të pandemisë që të fitojë pushtet. Ministri i parë i dështuar që u largua që të kandidojë për të parin e Prishtinës”.
“…Kurti caktoi një ministër që nuk kishte njohuri bazike të realitetit në Kosovë. Shumicën e mandatit e kaloj nëpër konferenca. Dorëheqja edhe e një ministri dhe caktimi i një ekipi ekzekutiv tregon se kryeministri edhe kjo qeveri e ka pranuar dështimin në këtë sektor”.
“Vetëm 5 për qind investime kapitale në shëndetësi janë realizuar gjatë këtij viti. Kjo është një mesatare edhe më e tmerrshme se një mesatare prej 10 për qind e realizimi nga të gjitha ministritë e vendit. Lista e pritjes ka arritur deri në fund të vitit të ardhshëm”, ka thënë Zemaj.