Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pas takimit me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka shprehur mirënjohje ndaj Shqipërisë për, siç tha ai, mbështetjen ndaj vendit të tij që nga fillimi i luftës.
Spiropali po zhvillon një vizitë zyrtare në Kiev, ku zhvilloi takime me homologun e saj Andrii Sybiha dhe me presidentin Zelensky.
Zelensky tha se vizita e ministres shqiptare vjen në një kohë sfiduese për Ukrainën dhe popullin e saj, duke e cilësuar atë si një sinjal të fortë të mbështetjes.
Gjithashtu, ai tha se gjatë takimit kanë diskutuar bashkëpunimin ushtarak, përfshirë prodhimin e mbrojtjes, integrimin e Ukrainës dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian – një qëllim i përbashkët i dy vendeve – si dhe zhvillimin e iniciativës PURL (Lista e Kërkesave Parësore për Ukrainën), duke përfshirë mundësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë këtë vit.
Ai gjithashtu ka informuar Spiropalin mbi përpjekjet diplomatike me partnerët për paqe dhe për forcimin e sanksioneve kundër Federatës Ruse, duke theksuar rëndësinë e sanksioneve për të minuar aftësinë e Rusisë për të vazhduar luftën.
Zelensky ka dekoruar Spiropalin me Urdhrin e Princeshës Olga, Klasi I.
“Faleminderit për mbështetjen ndaj Ukrainës! Jemi shumë mirënjohës ndaj Shqipërisë për mbështetjen e saj që nga fillimi i kësaj lufte”, tha Zelensky. /AA/

















