Vonesat e shtetit të Kosovës për të filluar zbatimin e menjëhershëm të masave mbështetëse për sektorin privat, sipas Arian Zekës, do të kenë ndikim shkatërrues në ekonominë e vendit. Sipas tij, kjo do ta bëjë më të kushtueshëm procesin e rikuperimit të pasojave.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovës, në një intervistë për KOHËN, ka thënë se shpërthimi i pandemisë COVID-19 dhe masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së saj kanë goditur të gjitha ndërmarrjet dhe të gjithë sektorët, shkruan KOHA.
Ai ka thënë se aktivitetet ekonomike janë reduktuar në masë të madhe, duke cenuar aftësinë operuese të bizneseve. Kjo, sipas tij, do të çojë në falimentim të shumë bizneseve dhe në mbyllje të shumë vendeve të punës.
Zeka ka folur edhe për zvogëlimin e eksporteve në industri, si ajo e përpunimit të drurit, respektivisht ndërmarrjet e prodhimit të mobilieve, edhe për shkak të rënies së kërkesës në tregjet ku produktet e kësaj industrie janë eksportuar. Ndërkohë ka thënë se importi me lëndë të parë nuk është ndërprerë, por çmimi i lëndës së parë ka shënuar rritje, e ngjashëm edhe kostoja e transportit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni sot falas në “E Diela me Kohën Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.