Sonte në “Komiteti Qendror” – i drejtuar nga Berat Buzhala, Leonard Kerquki dhe Shpend Limoni – prodhim i Gazetës Express për RTV Dukagjinin, gazetari Milaim Zeka, ka folur për një takim të cilin e kishte kërkuar vëllai i heroit Adem Jasharit, Rifat Jashari me ish-deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla
Zeka ka thënë se ky takim u mbajt në vitin ’98, pas vrasjes së anëtarëve të familjes Jashari nga forcat serbe, duke treguar se Rifat Jashari i kishte kërkuar edhe atij që të ishte i pranishëm.
Gazetari ka shtuar se në prezencën e tij, vëllai i Adem Jasharit e kishte akuzuar Sylën dhe pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se kishin një pjesë të fajit pse familja e tij iu vra.
Zeka në “Komiteti Qendror” ka treguar se Rifat Jashari i kishte thënë Sylës se për aq sa kishte faj presidenti famëkeq i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, për vrasjen e familjes Jashari, aq kishte faj edhe Syla dhe njerëzit përreth tij, të cilët nuk i kishin dorëzuar armët që iu kishin dërguar Adem Jasharit. /Express/