Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matt Miller nuk ka pranuar të përgjigjet kur është pyetur se meritë e kujt është lirimi i tre policëve kosovarë nga Serbia.
Ai, në konferencën e rregullt me gazetarë, ka thënë se është i lumtur për lirimin e tyre, por nuk pranon të komentojë mbi ish-zyrtarët e administratës amerikane.
“Nuk do ta vë veten në atë pozitë për të folur për ish-zyrtarë të administratës”, tha Miller.
“Kam mjaftueshëm punë për të bërë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se mund të theksojë se SHBA e ka kërkuar në vazhdimësi lirimin e tyre.
Ai ka përdorur edhe sarkazmin për t’iu përgjigjur gazetares.
“Siç ndodh shpesh, suksesi ka një mijë baballarë dhe cilado qoftë arsyeja përfundimtare që bëri që autoritetet t’i lironin ata tre oficerë policie, ne ishim të lumtur që e pamë të ndodhte”, ka theksuar ai.
Merita për lirimin e tre policëve morën ish i dërguari i SHBA-së për dialogun Richard Grenell, kryeminsitri i Hungarisë Viktor Orban si dhe kryeministri shqiptar Edi Rama. /GazetaExpress