“Zbutet” SBASHK-u

E publikuar: 11/10/2017 14:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, në një prononcim për Gazeta Blic ka treguar detaje lidhur me takimin që ka pasur me kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj para pak ditësh. Ai ka theksuar se kanë vendosur kushtet e tyre për kontratë kolektive, ose në të kundërtën do të shkojnë në grevë.

“Ajo që mund të them tash është se me krijimin e institucioneve të reja të Kosovës SBASHK-u është duke zhvilluar takime me institucionet e reja të Kosovës dhe janë duke dialoguar rreth kërkesave që lidhen me nivelin qendror e kam fjalën konkretisht te fati i projektligjit lidhur me statutin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta, kemi pasur takim me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj të shtunën e javës së kaluar dhe kemi hapur këtë cështje dhe në parim jemi pajtuar që MASHT-i bashkë me ne ta realizojë edhe një herë projektligjin që është po thuajsë i finalizuar dhe kemi premtime se ky ligj do të hyjë në procedurë të duhur dhe do të shkojë në parlamentin e Kosovës për t’u aprovuar.”, tha ai.

Ndërsa, duke përmendur kontratën kolektive Jasharaj tha se disa komuna kanë kryer obligimin për tri pagat përcjellëse dhe se një grevë në këtë kohë do të krijonte laramani.

“Sa i përket çështjeve të kontratës kolektive që janë çështje që nuk janë realizuar si duhet dhe sa duhet kjo çështje bie në kompetencë të qeverive lokale pra të komunave të Kosovës, konkretisht drejtorive arsimore dhe me qenë se kemi laramani, disa komuna e kanë kryer obligimin e tyre kur është fjala për tri pagat përcjellëse me rastin e pensionimit, ka komunë që e ka kryer çështjen e udhëtimit jemi në një situatë të re dhe greva do të ishte, po them kushtimisht, laramani do të kishte sepse nuk mund të bëjmë grevë për komunën që i ka kryer obligimet dhe prandaj për t’i ikur ndarjeve eventuale ne kemi zgjedhur një mënyrë tjetër dhe të autorizuar nga këshilli drejtues, jemi në përgatitje dhe fillimisht po dërgojmë në gjykatat themelore përgjegjëse dhe në secilën gjykatë që janë mbajtur seancat dhe është hapur kjo çështje jemi duke i fituar rastet dhe mësimdhënësit e pensionuar po marrin pra tri pagat përcjellëse dhe pagat suplementare dhe për ta fuqizuar këtë angazhim ne jemi takuar edhe me kryetarin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kemi marrë mbështetjen e tij, ai ka dërguar një shtresë te të gjitha gjykatat themelore në Kosovë duke kërkuar që edhe sipas ligjit lëndët që i kemi dërguar ne në gjykatë të kenë prioritet që nënkupton që ato lëndë të mos zhagiten me vite por të bëhen në kohë sa më afër të mundshme.“, shtoi Jasharaj.

Ndërsa, ditë më parë ai kishte deklaruar se rritja e cilësisë në arsim nuk është prioritet i qeverisë së Kosovës, pasi që shihet se sa ndahet buxhet për këtë fushë që është e ardhmja e Kosovës.

I pyetur nga Gazeta Blic, ai thotë se këtë deklaratë e ka mbështetur edhe në deklaratat e ndërkombëtarëve dhe takimet që i kanë pasur së bashku me GIZ-in dhe MASHT-in.

“Deklaratën time që arsimi më nuk është prioriteti e kam mbështetur në deklaratat e ndërkombëtarëve në takimet që i kemi bashkë me GIZ-in, bashkë me MASHT-in dhe jemi duke përgatitur një angazhim më afatgjatë lidhur me një përpjekje për ta rritur cilësinë në arsim dhe ne e kemi shtuar këtë çështje dhe po them kanë bërë vërejtje vazhdimisht dhe tani më edhe pse deklarohet publikisht ai deklarim duhet të mbështet edhe me angazhim konkret të buxhetit e kam fjalën jo për ngritje pagash dhe jo për kërkesa tona por që shkollat tona të kenë mjete bashkëkohore të konkretizimit, e kemi shtruar këtë çështje dhe kryeministri ka thënë që do të ketë angazhime shtesë të qeverisë që gjendja në këtë sferë të ndryshojë, pra që të kemi një buxhet më të madh në sektorin e arsimit në mënyrë që kolegët tonë t’iu krijohen kushte shumë më të favorshme të punës e kam fjalën te furnizimi i shkollave me mjete bashkëkohore, mjete që do ta lehtësonin punën edhe te mësimdhënësit, por edhe nxënësit më lehtë do t’i kuptonin njësitë mësimore.”, përfundoi Jasharaj.

Ndryshe, para fillimit të vitit të ri shkollor në shtator, SBASHK-u, ka paralajmëruar se në shtator do të organizojë grevë për realizmin e kërkesave të mësimdhënësve, të cilat janë të garantuara me kontratën e re kolektive.