Bizneset italiane janë tërhequr drejt Shqipërisë si me magnet, si rrjedhojë e afërsisë, kostove të lira të punës, jetesës së lirë dhe njohjes së gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë. Por shumë subjekte italiane rezultojnë që nuk kryejnë asnjë aktivitet në Shqipëri.
“Monitor” ka zbuluar skemën e evazionit, me faturime fiktive, me “kështjellat e letrës”, ose “kutitë boshe” që përdorin sipërmarrjet italiane për të shmangur taksat në vendin mëmë
Ro.Ma Consulting”, me objekt aktivitet në fushën e këshillimeve financiare, të biznesit dhe të këshillimit ligjor, u themelua në gusht të 2015-s në Qendrën Kombëtare të Biznesit nga ortakë italianë. Subjekti kaloi në listën e bizneseve pasive, të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke qenë se në 12 muaj nuk kishte dorëzuar asnjë deklaratë tatimore.
Megjithëse objekti i aktivitetit i një tjetër shoqërie italiane, “Panfido Albania” i tejkalon dy faqe me përshkrimin e aktivitetit në ekstraktin e dorëzuar në QKB, ajo rezulton se nuk ka kryer asnjë ditë punë në Shqipëri. Kompania thuhet se do të ofrojë nga shërbimet portuale, te transporti i mallrave dhe i njerëzve, e deri te prodhimi dhe nxjerrja e naftës. Edhe ky subjekt kaloi në listën e subjekteve pasive të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për të njëjtën arsye me kompaninë e mësipërme të konsulencës financiare.
Në të njëjtën linjë me dy kompanitë e mësipërme, ku përshkrimi i aktivitetit dhe arsyet pse janë çelur në Shqipëri vishen me mister, është dhe kompania “QITALY”. “Ushtrimi i çdo veprimtarie apo aktiviteti, i cili nuk ndalohet me ligj”, shkruhet në hapësirën përshkruese të këtij subjekti, me administratorë dhe ortakë italianë. Kjo shoqëri e regjistruar në datën 1 janar 2015 pushoi së qenë aktive në fillimin e vitit të shkuar, me vendim asambleje, ndërkohë që ka depozituar vetëm pasqyrat financiare për 2015-n me një aktivitet që mbetet enigmë.
Në fund të vitit 2016, sipas INSTAT, në Shqipëri kishte 2661 sipërmarrje italiane, ose me kapital shqiptaro-italian, duke u renditur të parët, me pothuajse gjysmën e numrit të sipërmarrjeve të huaja në vend.
Por, shumë prej tyre po rezultojnë që nuk kryejnë asnjë aktivitet. Ky fakt u konstatua fillimisht nga “Monitor” në shkurt të këtij viti, ku një sondazh me një kampion prej 300 biznesesh që kishin kaluar në status pasiv gjeti se 20% e tyre kishin pronësi italiane, të cilat jo vetëm që nuk po investonin, por po hidhnin pikëpyetje të mëdha për arsyet e regjistrimit në Shqipëri. Sipas ekstraktit historik, të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pjesa më e madhe e këtyre subjekteve nuk kryenin asnjë aktivitet. Për shkak të mungesës së deklarimeve, tatimet i kanë kaluar në regjistrin e subjekteve pasive. Sipas ligjit, bizneset që nuk kryejnë aktivitet për 12 muaj radhazi kalojnë në regjistrin pasiv. Në përgjithësi, fusha e veprimtarisë së tyre ishte në konsulencë financiare apo ligjore.
Këto biznese italiane që, nuk kryejnë asnjë aktivitet apo nuk shprehin qartë se me çfarë do të operojë biznesi i tyre, si aktiviteti i mësipërm, tashmë po listohen edhe si debitorë./Monitor