Një pus mesjetar 17 metra i thellë u zbulua në dyshemenë e godinës qendrore të Qafës së Pazarit të Gjirokastrës, e njohur ndryshe edhe si 6-këndëshi.
Kastriot Dhrami, i cili administron prej vitesh godinën si njësi për shitjen e suvenirëve, vendosi të kryejë disa sistemime dhe modifikime të brendshme, por ndërhyrja evidentoi pusin për të cilin ishte dëgjuar të flitej nga të moshuarit.
Zbulimi i rrallë në Gjirokastër, del në dritë pas 300 vitesh
“Kisha dëgjuar për këtë pus që para 30 vitesh, por nuk e dija ku ishte me saktësi. Pusi do të bëhet i dukshëm dhe do të vëmë ndriçim. Është një vlerë e shtuar për qytetin, jo vetëm për pazarin. Është diçka e veçantë”, thotë Dhrami.
Pusi mendohet të jetë ndërtuar para ndërtimit të pazarit, çka do të thotë më shumë se 300 vjet më parë dhe paraqitet në gjendje shumë të mirë. Niveli i ujit që dikur përdorej për tu pirë është deri në lartësinë 5 metra.Vepra e rrallë ka filluar të befasojë vizitorët, ndërsa i ka shtuar një tjetër atraksion turistik pazarit karakteristik të Gjirokastrës. Banorët e vjetër të qytetit flasin për të paktën 7 puse në pazarin e qytetit si dhe për një sistem të sofistikuar furnizimi me ujë të lidhur me ujësjellësin e Ali Pashës, por kjo ende nuk është faktuar.
NGA KATEGORIA