Zbogar: Kosovën s’e pengon asnjë shtet i BE’së në rrugën e saj drejt integrimit evropian

E publikuar: 07/06/2015 22:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se Kosova është në rrugë të duhur drejt integrimeve evropiane.
Zhbogar, në një intervistë për “Fair Observer”, siç transmeton Koha.net, ka folur për shumë sfida me të cilat përballet Kosova 15 vjet pas luftës.

Ndonëse Kosovën nuk e kanë njohur edhe pesë vende të BE-së, Zhbogar shprehet optimist se edhe ato vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, nuk do ta pengojnë rrugën e saj evropiane.

“Është e vërtetë se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë një qëndrim të unifikuar mbi statusin e Kosovës. Megjithatë, që të gjitha ato pajtohen për rrugën e saj evropiane, dhe Kosova ka perspektivë evropiane sikurse edhe rajoni. Shembulli më i mirë është adoptimi i fundit i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA) nga Komisioni Evropian. Ndonëse pesë nga shtetet anëtare nuk e njohin Kosovën, të gjitha shtetet e BE-së kanë qenë mbështetëse për vazhdimin e procesit të MSA-së me Kosovën. Kosova ka të ardhme të qartë evropiane, dhe MSA-ja do ta çimentojë pozitën e Kosovës me politikat bazike të BE-së për Ballkanin perëndimor”, ka thënë Zhbogar.

Ndërkaq, duke folur për ndikimin rus për mos-njohjen e Kosovës nga shumë vende, siç janë Kina, Irani, Bjellorusia, Kuba e Venezuela, aleatë të fuqishëm të Rusisë, Zhbogar ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë mbi arsyet se pse vende të caktuara, përfshi edhe ato të BE-së, nuk e njohin Kosovën.

“Qëndrimi i Bashkimit Evropian karshi statusit të Kosovës është neutral, dhe nuk do të ishte e përshtatshme për mua, si shef i Zyrës së BE-së në Kosovë të spekulojë mbi arsyet se përse disa vende, përfshi edhe shtetet e BE-së, për mosnjohjen e Kosovës. Ajo që e di është se për stabilitet rajonal dhe për zgjerim të mundshëm të BE-së në të ardhmen, është shumë me rëndësi që Kosova t’i plotësojë shumë kushte – jo për të mirën tonë, por për të mirën e saj. Fillimisht, duket t’i ketë parasysh reformat ekonomike, por edhe zhvillimin e mëtejmë të sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, ka theksuar Zhbogar në këtë intervistë.

Zhbogar, si një ndër kriteret kryesore për të ardhmen e Kosovës e ka përmendur zhvillimin ekonomik.