Edhe pse kodit telefonik shtetërore +383 i është hapur rruga për implementimin e tij, ky proces po rezulton më i vështirë sesa ishte menduar në fillim.
Kodi duhej të ishte funksional tashmë prej 4 muajsh, por kjo ende nuk ka ndodhur.
Sipas Gazetës Zëri bordi i autoritetit të komunikimeve elektronike ARKEP ende nuk ka marrë një vendim dhe me 31 Tetor mbyllet afati i fundit i implementimit.
Telekom i Kosovës e konsideron sfidë implementimin e kodit brenda këtij afati
“Telekomi i Kosovës është duke punuar në vazhdimësi për implementimin e kodit të ri sipas planit të migrimit. Mirëpo duke marrë parasysh se ky implementim nuk varet vetëm nga resurset teknike të Telekomit të Kosovës, por varet edhe nga asistenca teknike e partnerëve ndërkombëtarë, tash për tash është e pamundur të parashikohet përmbushja e afatit të caktuar kohor nga ana e ARKEP-it”, deklarojnë në Telekomin e Kosovës.
Në fillim të Tetorit operatorët e telefonisë kërkuan shtyrjen e zbatimit të kodit dhe këtë ja kanë komunikuar edhe ARKEP.
Kodi Shtetëror u mor në Dhjetor të 2016-ës nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit.
Ishte vendosur që më 30 Qershor të ishte në funksion por u shty në 31 Tetor pas kërkesave të Vala dhe IPKO.
Shkak për këtë nuk janë vetëm resurse teknike të operatorëve por edhe marrëdhëniet me partnerët e jashtëm.
Por, Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e marrëveshjeve ndërkombëtare është kompetencë e operatorëve të telefonisë mobile.
Telefonia mobile Vala shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386) për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.
Të dhënat e zyrtare tregojnë se kostoja e përgjithshme e shkaktuar deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 220 milionë euro. /PCWorld Albanian