Ursula von der Leyen, Albin Kurti
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të një vizite zyrtare në Ballkanin Perëndimor, të nisur sot në Shkup, nesër do të qëndrojë në Kosovë.
Takimin e parë, shefja e KE-së do ta zhvillojë në orën 09:00 me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Presidencë, raporton Klankosova.tv.
Pas takimit, presidentja Osmani dhe presidentja e KE-së, von der Leyen do të mbajnë konferencë për media.
Ndërkaq, pas konferencës, e para e KE-së do të kalojë në objektin tjetër afër Presidencës, atë të Qeverisë, ku do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti në orën 10:30.
Von der Leyen, pas Kosovës, do të vazhdojë vizitën në Shqipëri, më pas në BeH, në Serbi dhe në fund në Mal të Zi.
Vizita e saj ndërlidhet me ndikimin e Rusisë në rajon dhe me çështjen e ngritjes së çmimeve të energjisë, për çka KE-ja do të ndajë 500 milionë euro grante që i gjithë rajoni të investojë në lidhjet energjetike, efiçencën e energjisë dhe sigurisht energjinë e rinovueshme.