Zbardhen detaje të reja për atentatin me katër të plagosur në Tiranë, dyshohet se autorët ngatërruan objektiv

E publikuar: 18/04/2025 10:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Tiranës nuk ka ende një pistë konkrete për atentatit me 4 të plagosur që ndodhi në Lundër mbrëmjen e të enjtes.

Sipas asaj që raporton A2 CNN , hetuesit kanë dyshime të forta se autorët mund të kenë ngatërruar objektiv.

Burime thonë se objektivi i atentatorëve ka qenë një grua e një personi me precedentë të theksuar kriminal, identiteti i së cilës ende nuk është bërë i ditur.

Ky version bëhet edhe më i mundshëm për faktin se të plagosurit janë të gjithë persona pa precedentë penalë. Në deklarimet e tyre për policinë, edhe pse të shtruar në spital, 34-vjeçari Arens Stafa dhe 19-vjeçari Kian Mullaj kanë deklaruar se nuk kanë asnjë konflikt.

Nga breshëria e plumbave – Policia ka gjetur në vendngjarje 20 gëzhoja – të plagosur rëndë kanë mbetur edhe dy të miturit, një 17 vjeçar dhe një 11 vjeçar.

Pasi është qëlluar në drejtim të tij, shoferi i mjetit, 34-vjeçari Stafa, ka kryer manovra me makinën për t’i shpëtuar plumbave, por është përplasur me një mjet tjetër në lëvizje.

Adoleshenti Kian Mullaj studionte në Londër dhe kishte 3 ditë që ishte kthyer në Shqipëri për pashkët.

17-vjeçari Marko Demiraj është transferuar në spital privat ndërsa 11-vjeçari vijon të qëndrojë në gjendje të rëndë, pasi ka marrë plagë në kraharor.

11-vjeçari dhe 19-vjeçari i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, por vijojnë të mbeten në rrezik për jetën.

Ndërsa gjendja e shoferit, Arens Safa vlerësohet se është jashtë rrezikut për jetën.