Enis Sulstarova
Bashkësia e komunave “serbe”, e ashtuquajtura Zajednica, përbën rrënimin për pavarësinë e Kosovës. Zajednica nuk është një organizatë joqeveritare, siç duan ta paraqesin firmosësit e saj dhe tellallët mediatikë të regjimit Mustafa-Thaçi. Ajo është bërthama e një shteti brenda shtetit të Kosovës, pavarësisht se çfarë emri i vihet. Zajednica do të veprojë në një territor të demarkuar, do të ketë kompetenca ekzekutive, që do t’i mbartë nga pushteti qendror dhe ai vendor (komunat), punonjësit e saj do të kenë statusin e punonjësit civil, ajo mund të dërgojë çështje në Gjykatën Kushtetuese e të nisë amendamente ligjore, madje do të ketë edhe përfaqësim në institucione ndërkombëtare.
Bashkësia e komunave me shumicë serbe nuk mund të shpërbëhet. (Sa për krahasim: Presidenti i Republikës mund të shpërbëjë Kuvendin e Kosovës, por jo Zajednicën). Me t’u krijuar, Zajednica do të veprojë në mënyrë autonome në kuptimin e plotë të fjalës. Të gjitha këto janë atribute të sovranit, që Zajednica do t’i ushtrojë në emër të serbëve të Kosovës. Këto atribute do të vijnë gjithnjë duke u zgjeruar, aq sa shumë shpejt do të vijë një pikë ku ligjet e Kosovës nuk do të kenë fuqi vepruese e detyruese në territorin e kontrolluar prej saj nëse nuk do të kundërfirmosen nga përfaqësuesit e Zajednicës.
Parimi i krijimit të Zajednicës është etnik, sepse bashkësia shtrihet në komunat e krijuara me shumicë serbe dhe i kushtohet mbrojtjes së interesave dhe përfaqësimit të “popullit” serb të Kosovës. Qytetarët shqiptarë dhe të tjerë joserbë në territorin e Zajednicës do të konsiderohen si pakicë dhe do t’i nënshtrohen vullnetit të shumicës. Poste kyçe në administratë do të mbahen vetëm nga serbët, si p.sh. komandanti i policisë. Me marrëveshje të tjera është parashikuar edhe që një panel i veçantë i Gjykatës së Apelit në Prishtinë të përbëhet vetëm nga serbë, që të japë drejtësi “serbe”. Me kohë do të gjenden edhe mekanizmat ligjorë që gjykatat paralele serbe të integrohen me funksionet e Zajednicës, duke bërë që edhe gjykatat ajo t’i ketë të veçanta dhe nën autoritetin e saj.
* * *
Marrëveshja e 25 gushtit 2015, me të cilën qeveria e Kosovës zotohet ta krijojë Zajednicën, është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e tanishme të Kosovës. Sidomos me këtë marrëveshje të fundit, por edhe me të tjerat që i kanë paraprirë, dyshja Mustafa-Thaçi i kanë bërë atentat shtetësisë së Kosovës, ndërsa Serbia ka arritur fitoren më të rëndësishme që nga viti 1999. Zajednica është rezultati që ajo mori me bllokimin e suksesshëm të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe me sabotimin e funksionimit në terren të institucioneve republikane, të cilin Serbia e ka ndërmarrë në mënyrë sistematike me anë të institucioneve të paligjshme paralele dhe grupeve kriminale. Asnjëherë qeveritë e Kosovës nuk kanë treguar vullnet dhe vendosmëri për ta shtrirë funksionimin e shtetit në komunat veriore dhe për të shpërndarë institucionet paralele, siç duhej të bënte një shtet normal. Gjithnjë ato janë stepur para dhunës serbe në veri, barrikadave, trysnisë së Serbisë dhe e kanë lënë këtë çështje themelore në dorë të ndërkombëtarëve. Mirëpo, trajtimi si “ndërkombëtare” i çështjes së brendshme të zbatimit të ligjit na ka dhënë tani Zajednicën dhe “bosnjëzimin” zyrtar që ajo i bën republikës.
“Bosnjëzimi” nuk është vetëm metaforë, sepse analogjitë me Bosnjën janë reale. Edhe në Bosnjë–Hercegovinë në vitin 1991 u krijua bashkësia e komunave me shumicë serbe, që vendosi të mos e njihte pavarësinë e republikës dhe ky vendim ishte prologu i luftës që do të vinte. Zajednica është prologu i konflikteve, ndoshta edhe i luftës, në Kosovën e nesërme, sepse qenia e një njësie autonome serbe e bën më të mundshme se kurrë më parë projektin e ndarjes së Kosovës. Nuk do të jetë aspak habi sikur një ndër veprimet e para të Zajednicës të institucionalizuar të jetë thirrja e një referendumi për të bërë të ditur vullnetin e “popullit” serb në Kosovë për t’u bashkuar me Serbinë. Por para se të arrihet deri këtu është pikërisht qeveria e Kosovës ajo që, duke rënë dakord me Serbinë për Zajednicën, e vë në dyshim legjitimitetin e shtetit të Kosovës. Republika Srpska në Bosnjë njihet ndërkombëtarisht, sikurse do të njihet edhe Zajednica në Kosovë. Në këtë mënyrë, fati i Kosovës do të lidhet ngushtë me atë të Bosnjës, sepse Serbia do të bëjë çmos në këtë drejtim. Ajo do të ketë interes për mosfunksionimin e dy republikave, për t’i paraqitur si jolegjitime, artificiale etj., derisa të paraqiten kushtet e përshtatshme për një rivizatim të kufijve të Ballkanit.
Tani për tani, është e sigurt parashikimi se Zajednica do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme për zhvillimin e Kosovës së pavarur. Pavarësia politike nuk është një dhuratë që të bie nga qielli, as një gjendje statike, por një kapital për t’u investuar për fitime të mëtejshme për kombin. Kështu, një nga premtimet e ideve të pavarësisë dhe e republikës ishte se, me t’u shkëputur nga sundimi kolonial serb, Kosova do të mund të zhvillohej duke shfrytëzuar burimet natyrore dhe punën e popullit të saj, të përbërë nga shqiptarët dhe pakicat. Fakti që popullata të konsiderueshme serbe jetojnë pranë zonave të Kosovës që janë strategjike për nga aspekti ekonomik e zhvillimor rrjedh nga statusi i tyre i mëparshëm si kolonë të Serbisë e Jugosllavisë, të vendosur enkas në këto vende si mbështetje për politikat koloniale. Pakoja e Ahtisarit si koncesion ndaj Serbisë, parashihte krijimin e komunave të veçanta për serbët kudo nëpër territorin e Kosovës dhe sistemin e decentralizuar të vendimmarrjes në nivel komunal. Tani, si institucion qendror i komunave me shumicë serbe, Zajednica do të ketë pronësinë mbi territorin dhe do të jetë e nevojshme miratimi i saj dhe i Serbisë për të zhvilluar burimet e Kosovës, në radhë të parë minierat dhe ndërmarrjet e Trepçes. Tani, pas luftës çlirimtare, qeveria e Kosovës me një të rënë të lapsit, i bën ata dhe, përmes tyre, Serbinë, pronarë të disa pasurive publike më të rëndësishme të Kosovës. Në harkun e pak viteve, Kosova po kalon nga varësia koloniale prej Serbisë në atë neokoloniale, të ndërmjetësuar nga Zajednica. Të jesh serb brenda Zajednicës do të thotë shumë më tepër shanse jetese, punësimi, mirëqenieje etj., sesa po të jesh shqiptar. Një migrim tjetër do të ndodhë nga ana e shqiptarëve që kanë për të qenë pakicë brenda Zajednicës, për t’u zhvendosur në komuna të tjera ose jashtë vendit, gjë që do të forcojë edhe më shumë ndarjen etnike në Kosovë dhe shanset e ndarjes së saj eventuale.
* * *
Sigurisht që miratimi i Zajednicës nga qeveria e Kosovës nuk është rrufe në qiell të hapur. Dera për te bashkësia e komunave serbe ishte lënë e hapur nga vetë Pakoja e Ahtisarit dhe kjo ishte një nga arsyet e forta pse Pakoja u kundërshtua fuqishëm nga Lëvizja Vetëvendosje dhe organizata të tjera që argumentuan se pavarësia e Kosovës nuk po arrihej si shprehje e vullnetit të popullit, por me negociata me Serbinë dhe me kushtëzime të brendshme që nuk e bënin funksional shtetin e ri. Ndërkaq, Serbia e përzënë nga Kosova nuk kishte mënyrë tjetër veç faktorizimit të vazhdueshëm të serbëve të Kosovës, por pa bërë asnjë lëshim në parimet e sovranitetit që ajo pretendon mbi Kosovën dhe mbi Luginën e Preshevës. BE-ja dhe faktori ndërkombëtar e pranuan si legjitim pretendimin serb dhe për pasojë kemi ardhur në çastin kur Zajednica po sendërtohet me vullnetin e qeverisë së Kosovës dhe Serbia nuk ka lëvizur asnjë grimë nga pozicioni i saj i fillimit në lidhje me njohjen e Kosovës.
Çdo paralelizëm që hiqet midis Zajednicës dhe një nisme të fundit për bashkësinë e komunave në Luginë të Preshevës nuk qëndron, sepse hapi i vonuar dhe qyqar i disa politikanëve të Luginës është sa për të hedhur hi syve dhe për ta bërë më të lehtë, gjoja në emër të reciprocitetit, pranimin e Zajednicës nga ana e shqiptarëve të Kosovës. Megjithatë, nisma e po atyre politikanëve shqiptarë të tipit të Ragmi Mustafa, i cili pak kohë më parë i dha dëshmi mirënjohjeje Vuçiçit, është kundërshtuar fuqishëm nga qeveria e Serbisë – “mos luani me zjarrin” – sepse ajo as në ëndërr nuk ua lejon shqiptarëve të Luginës që të heqin paralele me serbët e Kosovës. E vërteta është se shqiptarët në Luginë janë ndër pakicat më të shtypura të Europës sot. Ata jo vetëm që nuk kanë asnjë institucion përbashkues me karakter etnik e rajonal, por edhe kompetencat e komunave janë të kufizuara.
Edhe pse është premtuar përfaqësimi i tyre në policinë lokale, ai nuk është ende përpjesëtimor sipas peshës që zë popullata shqiptare në komuna dhe realisht zhvlerësohet para pranisë së xhandarmërisë dhe njësive ushtarake serbe që janë vendosur në Luginë. Përmirësimi i gjendjes së shqiptarëve në Luginë nuk mund të bëhet me gjeste që mundohen të imitojnë, por që në fakt e legjitimojnë Zajednicën në Kosovë, por me bashkim dhe aktivizim politik të shqiptarëve atje rreth një programi të qartë e afatgjatë që duhet të ketë mbështetjen e Shqipërisë dhe trysninë e nevojshme ndërkombëtare. Për sa i përket barazimit të statusit të shqiptarëve në Serbi me serbët e Kosovës, asnjëherë qeveria e Kosovës nuk e ka pasur në axhendë, përderisa ka pranuar qysh në fillim që negociatat e Brukselit të jenë vetëm mbi rregullimet e brendshme institucionale të Kosovës.
Roli i ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, në radhë të parë i BE-së, ka qenë qysh në fillim i anshëm në dëm të pozicionit të Kosovës. Meqenëse nuk e ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, BE-ja ka ndjekur modelin e zgjidhjes së konfliktit midis një vendi sovran dhe një krahine separatiste që ndodhet nën administrim ndërkombëtar. Gjithashtu, edhe shtetet anëtare të BE-së që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe SHBA, me anë të sjelljes së tyre duket sikur e kanë pezulluar njohjen, deri kur Serbia të japë pëlqimin e saj. Ndryshe nuk mund të shpjegohet ngadalësia, madje mund të themi edhe refuzimi i tyre për të ndërtuar marrëdhënie substanciale dypalëshe me republikën e re. Marrëdhëniet e tyre politike me Kosovën po zhvillohen përmes BE-së dhe kjo e fundit duket se është e interesuar më shumë për të tërhequr pas vetes Serbinë. Në emër të europianizimit, BE-ja po e etnizon Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Modeli klasik i shtetit kombëtar liberal u lë hapësirë integrimi e përfshirjeje shoqërore pakicave përmes qytetarisë dhe ndërkaq me anë të të drejtave kulturore shtesë siguron vazhdimësinë e tyre. Ndërsa ajo që po eksperimentohet nga BE-ja në Kosovë, me gjithë shembullin e dështuar të Bosnjës, është kthimi pas tek etnia, që bëhet determinuese e politikës dhe e shanseve të jetës. Për shtete si Bosnja dhe Kosova, kufijtë e shtetit kombëtar po vlekan sa për të qarkuar një njollë njëngjyrëshe në hartën politike të Europës, sepse kufijtë e vërtetë kalojnë brenda tyre.
Modeli i ndarjes së Bosnjës në vija etnike po zbatohet në Kosovë, por jo në IRJM, në shtetin ku modeli dykombësh i shtetit ka më shumë kuptim. Arsyeja kryesore e mungesës së një institucioni si Zajednica në IRJM është se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të atjeshëm nuk e kanë kërkuar atë, as më 2001-shin, as tani. Ndoshta Zajednica do t’i zgjojë nga gjumi, mirëpo nuk besohet se do të bëjnë ndonjë gjë të madhe. Ka ardhur nevoja për politikanë të rinj shqiptarë në IRJM, me ndjenjën e përgjegjësisë, kthjelltësinë politike, pa kompleks inferioriteti dhe me duart e pastra. Një arsye tjetër është mungesa e një politike kombëtare në Shqipëri. Qeveritarët e Tiranës bezdisen kur u kujton problemet e shqiptarëve përtej kufirit, aq sa mund të mendosh se po të ishte për ta, do të ishte më mirë që të mos ekzistonin shqiptarët matanë. Edhe kur bëjnë ndonjë deklaratë pozitive për të drejtat e shqiptarëve, pasojnë zërat protestues të shteteve fqinje dhe qeveritarët e Tiranës dhe “analistët” rinisin korin vetëfshikullues “nuk jemi për Shqipërinë e Madhe”. Nga ana e tyre, fqinjët nuk kanë skrupuj të tillë: Serbia bën agresion të fshehtë e të hapur në Kosovë, Greqia kërkon të marrë një pjesë të detit të Shqipërisë dhe nuk respekton të drejtat themelore njerëzore të çamëve që ka përzënë me dhunë e vrasje, në IRJM-në e Gruevskit dhe të Ahmetit inskenohen beteja me topa e helikopterë në lagjet shqiptare të Kumanovës e në fund edhe Mali i Zi po i merr një copë territori Kosovës së brishtë. Shumëçka duhet të ndryshojë në sjelljen e Shqipërisë ndaj çështjes kombëtare, pikësëpari të fillojë ndërgjegjësimi se çështja kombëtare nuk është mbyllur me pavarësinë e Kosovës dhe as me Marrëveshjen e Ohrit.
Është dëshpërues krijimi i Zajednicës në Kosovë, sidomos për ata shqiptarë që kanë besuar se pavarësia e Kosovës do të ishte një stacion në rrugën e bashkimit të saj me Shqipërinë. Nuk kemi si të mos dëshpërohemi kur shohim se jo vetëm që fijet që e mbajnë lidhur Kosovën me Serbinë nuk janë këputur, por po trashen edhe më. S’kemi si të mos indinjohemi kur shohim se ndryshimet institucionale nuk po bëhen për të forcuar sovranitetin popullor, por për ta zbehur atë dhe për të fuqizuar e forcuar mekanizmat e Serbisë brenda republikës.
Zajednica duhet kundërshtuar dhe penguar, por jo vetëm ajo. Ndalimi i saj duhet të jetë pika e kthimit, e qëndresës afatgjatë popullore për të zmbrapsur dëmet e jashtëzakonshme që kanë sjellë negociatat dhe marrëveshjet e deritanishme me Serbinë. Shqiptarët e Kosovës do të jenë pothuajse vetëm në këtë qëndresë, por nuk duhet të druhen nga kjo gjë, sepse vetëm e filluan qëndresën paqësore në fillimet e viteve ’90 dhe po vetëm e nisën qëndresën e armatosur. Në krahun tjetër, dorëzimi para Zajednicës nuk do t’i forcojë aspak, por do t’i detyrojë që në të ardhmen ta organizojnë kundërshtimin nga pozita më të dobëta. Prandaj, zëri i shqiptarëve kundërshtues duhet të dëgjohet qartë dhe fuqishëm tani, në emër të republikës, pavarësisë, vetëvendosjes, luftës çlirimtare. Përndryshe, “askush nuk mund të thotë se këtu rron një popull që ndërton diçka të re”.